Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

MARRËVESHJE QË HAP HORIZONTE TË REJA BASHKËPUNIMI NDËRMJET UNIVERSITETIT “HAXHI ZEKA” DHE UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NË KORÇË

Universiteti “Haxhi Zeka” vazhdon të zgjerojë bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë në rajon, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, dhe Rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, me synim forcimin e partneritetit institucional në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit.

Delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka”, i përbërë nga Rektori Prof. Dr. Armand Krasniqi, Dekani i Fakultetit të Agrobiznesit Prof. Dr. Ibrahim Hoxha dhe Dekani i Fakultetit të Menaxhimit në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis Prof. Dr. Afrim Selimaj, zhvilloi një takim pune me drejtuesit e Universitetit “Fan S. Noli”, ku u diskutuan mundësitë konkrete për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u evidentuan ngjashmëritë dhe potenciali i programeve të studimit që ofrojnë të dy universitetet, duke krijuar bazë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe shkencore. U dakordua që bashkëpunimi të intensifikohet në nivel të njësive akademike, përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mësimdhënies dhe shkencës

Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Zyrave të Karrierës të dy universiteteve, me synim shkëmbimin e praktikave më të mira në orientimin profesional të studentëve, organizimin e aktiviteteve me punëdhënësit, zhvillimin e praktikës profesionale dhe rritjen e mundësive për punësimin e të diplomuarve.

Po ashtu, u shpreh gatishmëria për të thelluar partneritetin në hartimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, veçanërisht në kuadër të programeve evropiane dhe iniciativave rajonale, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin institucional, inovacionin dhe ndërkombëtarizimin.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në realizimin e vizionit të Universitetit “Haxhi Zeka” për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme që kontribuojnë në rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, avancimin e kërkimit shkencor dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Shko në krye