Universiteti “Haxhi Zeka” mirëpriti ambasadoren e Maltës në Kosovë, Shkëlqesinë e Saj Juliana Scerri Ferrante, e shoqëruar nga Drejtoresha e Drejtoratit për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, znj. Xhenet Syka Kelmendi.
Delegacioni u prit nga menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka”, ku u zhvillua një takim i frytshëm në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në projektet e përbashkëta akademike, shkëmbimin e studentëve dhe stafit, si dhe iniciativa të tjera që kontribuojnë në ndërkombëtarizimin e universitetit.
Theks i veçantë iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Institutit për Studime në Fushën e Turizmit në Maltë, ku u riafirmua përkushtimi i ndërsjellë për fillimin e partneritetit me këtë institucion. Në një të ardhme të afërt pritet të ndërmerren hapa konkretë për formalizimin e bashkëpunimit dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta me interes të ndërsjellë.
Pjesëmarrësit vlerësuan lart bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Universitetit të Maltës, duke e cilësuar atë si një model të suksesshëm partneriteti akademik. U theksua se rezultatet e arritura deri më tani krijojnë një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të reja me interes të përbashkët.
Vizita e Ambasadores Juliana Scerri Ferrante përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve akademike të Kosovës dhe Maltës, duke konfirmuar vullnetin e përbashkët për zhvillimin e bashkëpunimit në dobi të arsimit të lartë dhe shkëmbimit të përvojave.





