Përfaqësuesit e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Prof. dr. Edmond Beqiri dhe Prof. dr. Driton Sylqa, zhvilluan një vizitë zyrtare në disa nga ndërmarrjet kryesore të sektorit të metalo-përpunimit në rajon. Kjo vizitë synonte forcimin e bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë, arsimit profesional dhe industrisë.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të universitetit për të ndërlidhur arsimin me tregun e punës dhe për të përkrahur procesin e dixhitalizimit industrial në rajon. Gjatë vizitës, u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në kuadër të projektit MetaTech 4.0, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+.
Projekti MetaTech 4.0 adreson sfidat me të cilat përballet industria metalike dhe sektori i Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) në Ballkanin Perëndimor. Synimi është ndërtimi i partneriteteve të qëndrueshme ndërmjet institucioneve të arsimit, trajnimit dhe industrisë, me fokus në përmirësimin e cilësisë dhe efektivitetit të trajnimeve profesionale në fushat e dixhitalizimit dhe automatizimit.
Universiteti “Haxhi Zeka”, si pjesë e këtij konsorciumi ndërkombëtar që përfshin partnerë nga Gjermania dhe Polonia, riafirmon përkushtimin e tij ndaj inovacionit, të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, në përputhje me strategjitë evropiane për transformim dixhital dhe zhvillim industrial.

