Sot, më 29 qershor 2026, në Universitetin “Haxhi Zeka” hapet zyrtarisht UNISUM 2026 – Universiteti Veror Ndërkombëtar, edicioni i pestë i një prej ngjarjeve më prestigjioze akademike ndërkombëtare në Kosovë.
Për pesë vite me radhë, UNISUM ka shërbyer si një platformë që bashkon profesorë, studiues dhe studentë nga e gjithë bota, duke e shndërruar Universitetin “Haxhi Zeka” në një qendër të rëndësishme të shkëmbimit të dijes, bashkëpunimit akademik dhe inovacionit. UNISUM 2026 do të zhvillohet nga 29 qershori deri më 10 korrik 2026.
UNISUM 2026 sjell një rekord të ri pjesëmarrësish, me mbi 100 studentë ndërkombëtarë dhe rreth 30 studentë nga Kosova, duke krijuar një mjedis unik multikulturor dhe akademik. Në këtë edicion angazhohen 31 profesorë, prej të cilëve 15 profesorë ndërkombëtarë dhe 16 profesorë nga Kosova, të cilët zhvillojnë 15 kurse intensive sipas modelit të bashkëligjërimit (co-teaching), duke kombinuar ekspertizën vendore dhe ndërkombëtare. Profesorët vijnë nga Finlanda, Gjermania, Hungaria, Kroacia, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Polonia, Turqia, Moldavia dhe Mali i Zi, ndërsa së bashku me profesorët e Universitetit “Haxhi Zeka” përfaqësojnë 11 shtete, duke dëshmuar karakterin global të këtij programi.
Programi akademik përfshin temat më aktuale dhe më të kërkuara të kohës, si:Transformimi digjital ;Inteligjenca artificiale; Teknologjitë e informacionit; Biznesi dhe ekonomia; Menaxhimi i burimeve njerëzore; Agrobiznesi; Shkencat juridike; Menaxhimi i hotelerisë dhe turizmit; Mbrojtja e mjedisit; Arti muzikor dhe fusha të tjera ndërdisiplinore
Çdo kurs zhvillohet me katër orë mësimore në ditë dhe vlerësohet me 4 ECTS kredi. Studentët mund të ndjekin një ose dy kurse, duke fituar deri në 8 ECTS kredi.
Përveç programit akademik, gjatë dy javëve të UNISUM 2026 do të organizohen një sërë ligjëratash inspiruese nga Guest Speakers, ku do të marrin pjesë personalitete të shquara nga vendi dhe jashtë tij, përfshirë: Ambasadorin e Hungarisë ne Kosovë, Ambasadorin e Turqisë ne Kosovë dhe përfaqësues të institucioneve publike, komunitetit akademik dhe sektorit të biznesit.
Krahas UNISUM-it, Universiteti “Haxhi Zeka” organizon edhe Universitetin Dimëror Ndërkombëtar – UNIWIN, i cili mbahet gjatë dy javëve të muajit shkurt. Deri më tani janë organizuar me sukses tre edicione të UNIWIN, duke plotësuar ofertën ndërkombëtare akademike të universitetit.
Me pjesëmarrjen e gjerë ndërkombëtare, programin inovativ, modelin e bashkëligjërimit dhe bashkëpunimin me partnerë akademikë nga e gjithë bota, UNISUM 2026 konfirmon edhe një herë rolin e Universitetit “Haxhi Zeka” si një institucion modern, të hapur dhe të orientuar drejt ndërkombëtarizimit.
UNISUM 2026 nuk është vetëm një universitet veror – është një hapësirë ku dijet, kulturat dhe idetë takohen për të ndërtuar partneritete, për të frymëzuar inovacion dhe për të krijuar mundësi të reja për brezin e ri të profesionistëve.













