Universiteti “Haxhi Zeka” në vitet e fundit ka ndërmarrë një transformim të rëndësishëm në mënyrën e konceptimit të qeverisjes universitare, duke e orientuar zhvillimin institucional drejt modelit të vendimmarrjes së bazuar në evidencë – Evidence-Based Policy Making (EBPM). Në një kohë kur universitetet publike përballen me kërkesa gjithnjë e më të mëdha për cilësi, transparencë, relevancë dhe përgjegjësi publike, kjo qasje përfaqëson një nga format më moderne dhe më të avancuara të menaxhimit të arsimit të lartë.
Në këtë proces transformues, një rol të jashtëzakonshëm ka luajtur Instituti për Shkencë dhe Arte i Universitetit “Haxhi Zeka”, i cili në vazhdimësi ka prodhuar analiza, raporte dhe dokumente të nivelit të lartë shkencor, të orientuara drejt zhvillimit strategjik të universitetit dhe ndërlidhjes së tij me zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe akademike. Përmes qasjes kërkimore dhe analitike, Instituti ka kontribuar në krijimin e një kulture institucionale ku vendimmarrja mbështetet mbi të dhëna empirike, analiza krahasuese dhe reflektim sistematik institucional.
Një kontribut po aq të rëndësishëm në këtë drejtim ka dhënë edhe Zyra për Sigurimin e Cilësisë, përmes hartimit të vazhdueshëm të raporteve analitike, monitorimeve institucionale dhe vlerësimeve të brendshme, të cilat kanë ndihmuar universitetin në identifikimin e sfidave, matjen e performancës dhe orientimin e politikave zhvillimore. Paralelisht, edhe vetë njësitë akademike të UHZ-së kanë aktivizuar mekanizma të ndryshëm institucionalë për prodhimin e evidencës dhe analizave të nevojshme për zhvillim akademik dhe strategjik.
Në kuadër të këtyre proceseve janë zhvilluar analiza të vazhdueshme lidhur me kënaqshmërinë e studentëve gjatë studimeve, nivelin e konkurrueshmërisë institucionale dhe programore, ndryshimet demografike, trendet dhe dinamika e prejardhjes së studentëve, zhvillimet dhe transformimet në tregun e punës, si dhe analiza të hollësishme të programeve studimore në raport me nevojat reale të tregut dhe të zhvillimit ekonomik. Këto të dhëna nuk janë trajtuar vetëm si raporte formale apo statistika administrative, por si instrumente konkrete për orientimin e politikave akademike, rishikimin e programeve studimore, planifikimin strategjik dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale.
Pikërisht ky orientim drejt analizës, reflektimit institucional dhe përdorimit të evidencës po e drejton Universitetin “Haxhi Zeka” drejt modelit të universitetit modern të gjeneratës së pestë – një universitet fleksibil, inovativ, ndërveprues dhe i gatshëm për t’u ballafaquar me ndryshimet dinamike të shoqërisë, ekonomisë dhe tregut global të dijes. Në këtë model, universiteti nuk funksionon më vetëm si institucion tradicional i mësimdhënies, por si organizëm inteligjent që mëson vazhdimisht nga të dhënat që prodhon, nga nevojat e shoqërisë dhe nga transformimet e botës bashkëkohore.
