Më 3 maj 2025, në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, u mbajt një seminar i veçantë me rëndësi shoqërore dhe edukative me temë:
“Vlerat, Sporti dhe Nevojat e Veçanta”.
I ftuari special i këtij seminari ishte Nënkolonel Gianfranco Paglia, një figurë heroike dhe frymëzuese jo vetëm për Italinë, por edhe për gjithë ata që besojnë në forcën e vlerave njerëzore, përfshirjes dhe guximit. Gjatë shërbimit në misionin paqeruajtës në Somali, ai u plagos rëndë në Betejën e Mogadishos më 1993 dhe humbi përdorimin e këmbëve. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi: ai u rikthye në shërbim aktiv, mori pjesë në misione në Kosovë, Bosnje, Irak e Liban, dhe sot shërben si Këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes në Itali, me përkushtim të veçantë për integrimin e personave me nevoja të veçanta nëpërmjet sportit dhe edukimit.
Në fjalën e tij rektori I universitetit ‘Haxhi Zeka” theksoi rolin e Universitetit si promotor i vlerave universale dhe edukimit gjithëpërfshirës. Në fjalën e tij, ai nënvizoi rëndësinë e krijimit të hapësirave ku studentët mund të mësojnë nga përvoja reale, të frymëzohen nga figura që mishërojnë guximin dhe përkushtimin, dhe të ndërtojnë një vizion për një shoqëri më humane dhe të drejtë.
Paglia theksoi se pengesat fizike nuk janë kurrë fundi, por ftesë për të gjetur qëllime më të larta në jetë. Ai tregoi sesi, pas plagosjes së rëndë në Somali më 1993, nuk u dorëzua, por vendosi të rikthehej në shërbim aktiv për t’i dëshmuar vetes dhe të tjerëve se forca shpirtërore mund të kapërcejë çdo kufizim fizik. Ai foli me pasion për rolet jetike që luajnë edukimi dhe sporti në përfshirjen e personave me nevoja të veçanta në shoqëri. Sipas tij, sporti është një nga mjetet më të fuqishme për integrim, barazi dhe zhvillim personal. Ai inkurajoi studentët që të mos dorëzohen para vështirësive dhe t’i përdorin vlerat si ndershmëria, solidariteti dhe respekti për të bërë ndryshime pozitive në shoqëri.
Paglia është Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikës Italiane, fitues i Medaljes së Artë për Trimëri Ushtarake, dhe kapiten i Grupit Sportiv Paraolimpik të Mbrojtjes.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe mysafirë të lartë, duke e nderuar Universitetin dhe qytetin e Pejës me praninë e tyre: Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico BARDUANI; Komandanti i Komandës Rajonale Perëndim, Kolonel Francesco ERRICO; Nënkolonel Besim Gashi, përfaqësues i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK); Përfaqësues të KFOR-it; përfaqësues të komunave nga rrafshi I Dukagjinit; përfaqësues të stafit akademik dhe administrativ të universitetit; dhjetëra studentë dhe qytetarë të interesuar.
Seminari është pjesë e përkushtimit të Universitetit “Haxhi Zeka” për të promovuar vlera të larta njerëzore dhe për të sjellë në vendin tonë zëra dhe përvoja që frymëzojnë, edukojnë dhe motivojnë brezat e rinj.





