Universiteti Haxhi Zeka (UHZ) dhe Universiteti i Tiranës (UT) kanë nënshkruar një marrëveshje strategjike për partneritet dhe bashkëpunim, me qëllim forcimin e lidhjeve akademike dhe shkencore mes dy institucioneve.
Me anë të kësaj marrëveshjeje do të mundësohet bashkëpunimi në fushat e mëposhtme të interesit të përbashkët: shkëmbimi i studiuesve dhe shkencëtarëve për të kryer kërkime me interes të ndërsjellë, shkëmbimi i profesorëve për leksione dhe vizita afatshkurtra, ftesa për studiues për të marrë pjesë në konferenca, simpoziume dhe mësimdhënie, shkëmbimi i informacionit, materialeve akademike dhe publikimeve në fusha të interesit të ndërsjellë, lehtësimi i lëvizjes së studentëve përmes shkëmbimeve dhe vizitave ndërmjet dy universiteteve, si dhe krijimi i programeve të përbashkëta të diplomave. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje,
UHZ dhe UT angazhohen për shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, duke krijuar mundësi për mobilitet dhe zhvillim profesional, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore për avancimin e njohurive shkencore në fusha të ndryshme, organizimin e konferencave, seminareve dhe trajnimeve për ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira në arsim dhe kërkime shkencore, si dhe sigurimin e fondeve nga burime kombëtare dhe ndërkombëtare për të mbështetur iniciativat akademike dhe kërkimore të dy universiteteve.
Marrëveshja do të ketë një kohëzgjatje prej pesë vjetësh me mundësi rinovimi dhe do të shërbejë si një platformë për zgjerimin e mëtejshëm të partneriteteve akademike mes dy institucioneve. Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë ndjeshëm në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në rajon. Rektorët e të dy universiteteve shprehën bindjen se kjo marrëveshje do të jetë një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të arsimit dhe forcimit të bashkëpunimit akademik mes Kosovës dhe Shqipërisë.










