Më 25 prill 2025, në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt takimi i radhës i Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Kosovë. Në këtë aktivitet morën pjesë rektorët e universiteteve publike, përfaqësues të MASHTI-t, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë dhe akademikë.
Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë u përfaqësua nga Rektori i tij, Prof. Dr. Armand Krasniqi, i cili kontribuoi në diskutimet dhe vendimmarrjet strategjike të kësaj konference.
Gjatë takimit, Konferenca miratoi Rregulloren e re për funksionimin e saj, e cila përcakton më qartë strukturën, kompetencat dhe mënyrën e organizimit të punës së Konferencës së Rektorëve. Po ashtu, u miratua edhe logoja dhe flamuri zyrtar i Konferencës, të cilat simbolizojnë bashkëpunimin institucional ndërmjet universiteteve publike në vend.
Një nga arritjet më të rëndësishme të këtij takimi ishte miratimi i Marrëveshjes së parë shumëpalëshe për bashkëpunim ndërmjet IAL-ve publike, me një afat pesëvjeçar. Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushat e përbashkëta akademike, kërkimore dhe administrative.
Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar në avancimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.