Ministria e Zhvillimit Rajonal, më datë 7 maj 2025, organizoi konferencën me temë:
“Roli i Universiteteve në Zhvillimin Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar”. Qëllimi i konferencës ishte nxitja e debatit dhe shkëmbimit të ideve mbi rëndësinë e universiteteve në promovimin e zhvillimit socio-ekonomik rajonal të balancuar.
Në këtë konferencë, nga universiteti “Haxhi Zeka” mori pjesë Prorektorja për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, prof.ass.dr. Alma Shehu, e cila, në bashkëpunim me Prof. Xhavit Rexhaj, prezantoi temën: “Roli i Universiteteve në Promovimin dhe Avancimin e Trashëgimisë Kulturore dhe Historike në Funksion të Zhvillimit Rajonal në Kosovë”.
Një pjesë e rëndësishme e prezantimit të saj ishte paraqitja e Barometrit të Turizmit në Kosovë, një produkt unik i Universitetit “Haxhi Zeka” dhe organizatës Terra World. Prorektorja Shehu e cilësoi barometrin si mjet të rëndësishëm analitik dhe strategjik për matjen e trendeve, sjeljes dhe ndryshimeve në sektorin e turizmit, në veçanti në atë hotelier. Ajo shpjegoi se Barometri përmban të dhëna relevante për sjelljen e konsumatorëve, lëvizjet e vizitorëve, perceptimet mbi cilësinë e shërbimeve dhe impaktin ekonomik të turizmit, duke e bërë atë një burim të vlefshëm për politikëbërësit, akademikët dhe industrinë turistike në tërësi.
Gjatë fjalës së saj, Prorektorja Shehu u fokusua edhe në rëndësinë që ka angazhimi i universiteteve në përmbushjen e misionit të tretë. Në këtë kontekst, ajo theksoi se universiteti “Haxhi Zeka” jo vetëm që ka qenë i angazhuar në projekte kërkimore me ndikim konkret në industri, por gjithashtu ka shfaqur gatishmëri për të qenë pjesë aktive e proceseve të politikëbërjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, sidomos në rajonin e Dukagjinit.
Në përmbyllje, Prorektorja theksoi nevojën për investime të vazhdueshme në hulumtime aplikative, qoftë edhe nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe përfshirjen e institucioneve të arsimit të lartë në hartimin e politikave rajonale, si një mënyrë e fuqishme për të nxitur zhvillim të balancuar dhe të qëndrueshëm në Kosovë.


