Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Universiteti i Szczecin-it konfirmojnë vizionin e përbashkët për ndërkombëtarizim, kërkim shkencor dhe zhvillim akademik

Në kuadër të vizitës zyrtare të realizuar në Republikën e Polonisë dhe agjendës së zgjeruar të takimeve me institucione partnere të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka”, i përbërë nga Rektori Prof. Dr. Armand Krasniqi, prorektoret, prof.ass.dr. Alma Shehu-Lokaj dhe prof. ass.dr. Vjosa Hajdari-Lleshi, u prit në një takim zyrtar nga Rektori i Universitetit të Szczecin-it, Prof. Waldemar Tarczyński.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të veçantë respekti akademik, kolegialiteti dhe vizioni të përbashkët për të ardhmen e arsimit të lartë evropian. Gjatë diskutimeve, drejtuesit e të dy universiteteve prezantuan zhvillimet më të rëndësishme institucionale, arritjet akademike, projektet strategjike dhe prioritetet zhvillimore të universiteteve që përfaqësojnë.

Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, prezantoi rrugëtimin zhvillimor të universitetit gjatë viteve të fundit, proceset e reformimit institucional, avancimin e cilësisë akademike, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe orientimin strategjik drejt një universiteti modern, inovativ dhe të lidhur ngushtë me nevojat e shoqërisë dhe ekonomisë.

Me këtë rast, Rektori Krasniqi theksoi se:

“Ne përfaqësojmë një universitet të vogël, por me suksese të matshme dhe me ëndrra të mëdha, të cilat mund të jetësohen vetëm përmes bashkëpunimit, partneriteteve strategjike dhe ndërkombëtarizimit. Pikërisht mbështetja dhe bashkëpunimi me universitete partnere si Universiteti i Szczecin-it përbëjnë një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit tonë institucional dhe akademik.”

Nga ana e tij, Rektori Prof. Waldemar Tarczyński vlerësoi progresin e Universitetit “Haxhi Zeka”, duke shprehur gatishmërinë e Universitetit të Szczecin-it për të vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët akademik dhe shkencor.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua analizës së rezultateve të bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet dy universiteteve, si dhe identifikimit të mundësive të reja për thellimin e marrëdhënieve institucionale në vitet e ardhshme. Në këtë kontekst, palët diskutuan për zgjerimin e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e programeve të përbashkëta akademike, organizimin e konferencave shkencore ndërkombëtare, publikimet e përbashkëta dhe përfshirjen në projekte evropiane të kërkimit dhe inovacionit.

Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu iniciativës së Universitetit “Haxhi Zeka” për themelimin e revistës së re shkencore universitare. Në këtë drejtim, Universiteti i Szczecin-it ofroi gatishmërinë për të ndarë përvojën e tij shumëvjeçare në menaxhimin e revistave shkencore, proceset e indeksimit, standardet editoriale dhe ndërkombëtarizimin e botimeve akademike.

Një tjetër temë me rëndësi strategjike ishte procesi i krijimit dhe funksionalizimit të Shkollës Doktorale në Universitetin “Haxhi Zeka”. Përfaqësuesit e Universitetit të Szczecin-it ndanë përvojat e tyre institucionale dhe praktikat më të mira evropiane lidhur me organizimin e studimeve doktorale, menaxhimin e kërkimit shkencor dhe ndërtimin e kapaciteteve akademike për ciklin e tretë të studimeve.

Në takim morën pjesë edhe Drejtori i Institutit të Menaxhimit, Prof. Dr. Hab. Inż. Kesra Nermend, si dhe Zëvendësdrejtorja për Mësimdhënie, Dr. Karolina Beyer, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në organizimin dhe koordinimin e të gjithë agjendës së vizitës së delegacionit të Universitetit “Haxhi Zeka”.

Universiteti “Haxhi Zeka” shpreh mirënjohje të veçantë për përkushtimin, mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Prof. Dr. Hab. Inż. Kesra Nermend, i cili prej vitesh mbetet një mik i çmuar i universitetit tonë, Ambasador Nderi i Universitetit “Haxhi Zeka” dhe një nga personalitetet që ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në forcimin e urave të bashkëpunimit akademik ndërmjet Kosovës dhe Polonisë.

Takimi me Rektorin e Universitetit të Szczecin-it përbën një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit “Haxhi Zeka” dhe dëshmon qartë se partneritetet e ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta akademike, cilësinë, besimin institucional dhe respektin reciprok krijojnë mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm dhe për avancimin e misionit universitar në nivel evropian dhe ndërkombëtar.

Shko në krye