Një delegacion i Universitetit “Haxhi Zeka”, i përbërë nga Rektori, Prof. Dr. Armand Krasniqi, Prorektorja për Mësimdhënie, Shkencë dhe Çështje Studentore, Prof. Assoc. Dr. Alma Shehu-Lokaj, Prof. Dr. Ibish Mazreku dhe Prof. Assoc. Dr. Alberta Tahiri, zhvilloi një vizitë pune në Komunën e Rahovecit.
Delegacioni u prit nga Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, Shefi i Kabinetit, z. Ardit Halilaj, Drejtori i Arsimit, z. Muhamet Morina, Drejtori për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm, z. Altin Zhuniqi, si dhe Drejtori për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, z. Albnor Mullabazi.
Gjatë takimit, Rektori Krasniqi e njoftoi Kryetarin Latifi dhe përfaqësuesit e Komunës së Rahovecit lidhur me zhvillimet, rezultatet dhe progresin e Universitetit “Haxhi Zeka” në realizimin e tri misioneve universitare: mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe kontributit në zhvillimin ekonomik e shoqëror.
Një vëmendje e veçantë gjatë diskutimeve iu kushtua rolit aktual dhe të ardhshëm të Komunës së Rahovecit në kuadër të dinamikës së aktiviteteve të Forumit Ekonomik Rajonal të Dukagjinit – FERD. Rektori Krasniqi kërkoi mbështetjen dhe përfshirjen aktive të Komunës së Rahovecit në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universitetit, institucioneve lokale, bizneseve dhe aktorëve të tjerë relevantë për zhvillimin ekonomik rajonal.
Në takim u diskutua gjithashtu për pritjet dhe nevojat që Komuna e Rahovecit ka nga FERD-i, si dhe për mundësitë që përmes këtij mekanizmi të adresohen çështje konkrete që lidhen me zhvillimin ekonomik, turizmin, arsimin, mjedisin dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Kryetari Latifi shprehu gatishmërinë e Komunës së Rahovecit për të vazhduar dhe fuqizuar bashkëpunimin me Universitetin “Haxhi Zeka”, duke vlerësuar rolin e universitetit në krijimin e dijes, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.
Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Komuna e Rahovecit kanë një memorandum bashkëpunimi në fuqi, ndërsa në kuadër të takimit u dakorduan që ky bashkëpunim në të ardhmen të intensifikohet edhe më shumë, përmes aktiviteteve, projekteve dhe nismave të përbashkëta me interes institucional dhe publik.
Vizita konfirmoi përkushtimin e të dyja institucioneve për ndërtimin e një partneriteti më të fuqishëm, funksional dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete në shërbim të studentëve, komunitetit dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror të rajonit të Dukagjinit.









