Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Asociacionit të Universiteteve Evropiane (EUA), e mbajtur në Stamboll, Turqi, një nga ngjarjet më të rëndësishme në Evropë në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e UHZ ndoqën një sërë sesionesh të nivelit të lartë, të fokusuara në temat më aktuale që ndikojnë në të ardhmen e universiteteve. Diskutimet u përqendruan në transformimin e bashkëpunimit universitar përmes teknologjisë, ndërtimin e kulturave bashkëpunuese akademike në mjedise gjithnjë e më konkurruese, si dhe fuqizimin e lidhjeve ndërmjet sektorëve për të nxitur inovacionin dhe kërkimin shkencor. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të universiteteve në forcimin e besimit në shkencë dhe edukim, si dhe reflektimit mbi objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe sfidat përtej vitit 2030.
Në këtë kontekst, Prorektorja për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, prof. asoc. dr. Alma Shehu Lokaj, gjatë fjalës së saj afirmoi Universitetin “Haxhi Zeka” në këtë platformë ndërkombëtare. Gjatë diskutimeve dhe ndërveprimeve në sesione, ajo prezantoi zhvillimet dhe të arriturat kryesore të universitetit, duke theksuar avancimin në cilësinë akademike, përmirësimin e vazhdueshëm të programeve të studimit, rritjen e fokusit në kërkimin shkencor, angazhimin në ndërkombëtarizim si dhe rëndësinë e universiteteve për të kontribuar në shoqëri. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e projekteve ndërkombëtare, partneriteteve akademike dhe përfshirjes aktive në rrjetet evropiane, si faktorë kyç për zhvillimin institucional.
Një theks i veçantë iu kushtua anëtarësimit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Asociacionin e Universiteteve Evropiane (EUA), i cili u vlerësua si një ndër arritjet më të rëndësishme strategjike të universitetit. Ky anëtarësim jo vetëm që rrit dukshmërinë ndërkombëtare të UHZ, por edhe krijon mundësi konkrete për bashkëpunim, shkëmbim përvojash dhe përfshirje aktive në zhvillimet evropiane në arsimin e lartë.
Pjesëmarrja në këtë konferencë dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të Universitetit “Haxhi Zeka” për të qenë pjesë aktive e proceseve evropiane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor, inovativ dhe të orientuar drejt së ardhmes.
