Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Vizitë Zyrtare e Ambasadorit të Turqisë në Universitetin “Haxhi Zeka”: Thellimi i Bashkëpunimit Akademik dhe Perspektivës Ndërkombëtare

Sot, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, përkatësisht Fakulteti Juridik, pati nderin dhe kënaqësinë të mirëpresë në një vizitë zyrtare Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës, z. Sabri Tunç Angılı.

Në kuadër të kësaj vizite, Ambasadori mbajti një ligjëratë akademike para studentëve dhe stafit të Fakultetit Juridik me temën: “Politika e Turqisë në Ballkan në një botë në ndryshim dhe marrëdhëniet me Kosovën”, duke trajtuar në mënyrë analitike zhvillimet gjeopolitike, rolin strategjik të Turqisë në rajon, si dhe dimensionet bashkëkohore të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.

Ligjërata u hap nga Prodekani i Fakultetit Juridik, Prof. Ass. Dr. Mensur Morina, i cili në fjalën e tij përshëndetëse i uroi mirëseardhje Ambasadorit dhe vlerësoi lart rëndësinë e kësaj vizite për avancimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional. Ai theksoi rolin e diplomacisë akademike në ndërtimin e urave të qëndrueshme ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në emër të Universitetit dhe Fakultetit Juridik, të pranishmit i përshëndetën gjithashtu Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, si dhe Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Edmond Beqiri, të cilët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave akademike në funksion të rritjes së cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor.

Gjatë ligjëratës, studentët patën mundësinë të angazhohen në mënyrë aktive përmes një sesioni interaktiv pyetje – përgjigje, duke diskutuar drejtpërdrejt me Ambasadorin mbi çështje të ndryshme që ndërlidhen me politikën e jashtme, sigurinë rajonale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës. Ky bashkëbisedim kontribuoi në thellimin e njohurive dhe zhvillimin e mendimit kritik të studentëve.

Ambasadori Sabri Tunç Angılı u shpreh shumë i kënaqur me nivelin e organizimit, angazhimin e stafit akademik dhe interesimin e lartë të studentëve, duke vlerësuar arritjet e Universitetit “Haxhi Zeka” në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Në përmbyllje të vizitës, Ambasadori theksoi gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional, duke u zotuar se në një të ardhme të afërt do të mundësohet organizimi i një vizite studimore për studentët në Akademinë e Drejtësisë në Turqi, si dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në funksion të avancimit profesional dhe akademik të studentëve.

Shko në krye