Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László István DUX, ka qëndruar për vizitë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ku është pritur nga menaxhmenti i universitetit.
Gjatë kësaj vizite u diskutua për zhvillimet aktuale në Universitetin “Haxhi Zeka”, sfidat dhe planet strategjike për të ardhmen. Rektori i universitetit e informoi ambasadorin hungarez për progresin e arritur në fushën akademike, programet studimore, aktivitetet shkencore, si dhe përkushtimin e universitetit në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë.
Në fokus të bisedës ishte edhe ndërkombëtarizimi i universitetit dhe zgjerimi i bashkëpunimit me institucionet akademike ndërkombëtare, veçanërisht me universitetet hungareze. Palët diskutuan mundësitë e krijimit të partneriteteve të reja dhe projekteve të përbashkëta.
Ambasadori László István DUX vlerësoi angazhimin e Universitetit “Haxhi Zeka” në zhvillimin e arsimit të lartë dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur iniciativat që forcojnë lidhjet akademike ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
Në fund të takimit, të dyja palët u shprehën optimiste se bashkëpunimi ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe universiteteve hungareze do të intensifikohet në të ardhmen, në funksion të zhvillimit akademik dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve.



