Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Heliksi i katërfishtë: nga koncepti akademik te përgjegjësia e përbashkët

Përvoja e Universitetit “Haxhi Zeka” në ndërtimin e një institucioni ndërmarrës

Autor: Prof.dr. Armand Krasniqi Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”

Në diskursin publik në Kosovë, universiteti përmendet zakonisht në dy kontekste: si vend ku jepen diploma dhe si vend ku ndodhin probleme. Rrallë përmendet si aktor i zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Kjo mungesë nuk është vetëm çështje perceptimi — ajo pasqyron një realitet institucional ku lidhjet mes universitetit, institucioneve shtetërore, biznesit dhe shoqërisë civile kanë mbetur të dobëta, të rastësishme dhe shpesh të varura nga vullneti i individëve më shumë se nga mekanizmat e qëndrueshëm.

Pikërisht këtë boshllëk synon ta adresojë angazhimi aktual i Universitetit “Haxhi Zeka”, i zhvilluar përmes FERD-it dhe Institutit për Shkencë dhe Arte. Grupet punuese kanë filluar punën për zbatimin e një projekti fizibiliteti me fokus komunat, duke u përpjekur të ndërlidhin në praktikë atë që në literaturë njihet si heliksi i katërfishtë.

Çfarë është heliksi i katërfishtë dhe pse ka rëndësi

Modeli i heliksit të trefishtë — universitet, shtet, biznes — u formulua për të shpjeguar se inovacioni nuk lind brenda një sektori të vetëm, por në hapësirën ku këta tre aktorë ndërveprojnë. Heliksi i katërfishtë shton një variabël të katërt: shoqërinë civile dhe qytetarin, si përdorues, si burim njohurie dhe si kontrollues i legjitimitetit të vendimeve.

Shtimi i kësaj variable nuk është zbukurim teorik. Në kontekstin kosovar, ku planifikimi zhvillimor shpesh hartohet larg atyre që preken prej tij, mospërfshirja e komunitetit është një nga arsyet kryesore pse dokumentet strategjike mbeten të pazbatuara. Një studim fizibiliteti që nuk merr parasysh se çfarë do dhe çfarë mund të bartë komuniteti, është një ushtrim akademik, jo një instrument vendimmarrjeje.

Institucioni ndërmarrës: një koncept i keqkuptuar

Termi “universitet ndërmarrës” ngatërrohet shpesh me komercializimin e arsimit. Nuk është kjo. Në kuptimin e literaturës bashkëkohore, institucioni ndërmarrës është ai që ka kapacitet t’i kthejë njohuritë në vlerë publike — që identifikon probleme reale, mobilizon ekspertizën e vet, siguron burime, dhe qëndron përgjegjës për rezultatin.

Ndërtimi i një modeli të tillë kërkon ndryshime që nuk ndodhin me vendim administrativ: struktura që lejojnë punë ndërdisiplinore, procedura që e bëjnë të mundur bashkëpunimin me komunat pa u penguar nga burokracia, sisteme që e vlerësojnë punën aplikative të stafit akademik njësoj si publikimet, dhe — ndoshta më e vështira — një kulturë institucionale ku shërbimi ndaj komunitetit nuk konsiderohet aktivitet dorës së dytë.

Angazhimi aktual i UHZ-së është një hap i parë në këtë drejtim. Është e rëndësishme të thuhet qartë se është hap i parë, jo arritje e përfunduar.

Përgjegjësitë janë të ndara — dhe secili aktor e ka pjesën e vet

Nëse ky proces trajtohet si iniciativë e universitetit dhe vetëm e tij, ai do të dështojë. Heliksi funksionon vetëm kur të katër variablat lëvizin.

Universiteti ka përgjegjësinë të prodhojë punë të besueshme metodologjikisht, të mos i nënshtrohet presionit për të legjitimuar vendime tashmë të marra, dhe të mos premtojë më shumë se sa mund të japë. Kredibiliteti është kapitali i vetëm real i një institucioni akademik.

Institucionet shtetërore dhe komunale kanë përgjegjësinë të ofrojnë të dhëna të plota dhe të hapura, të përfshijnë ekspertizën vendore në fazën e hartimit dhe jo vetëm në fazën e miratimit, dhe të krijojnë vazhdimësi institucionale — që një bashkëpunim të mos ndërpritet me ndryshimin e mandateve.

Bizneset kanë përgjegjësinë të dalin nga qasja afatshkurtër. Investimi i sektorit privat në kërkim dhe zhvillim në Kosovë mbetet ndër më të ulëtit në rajon. Pa kërkesë reale nga ekonomia për njohuri, oferta akademike mbetet pa marrës.

Shoqëria civile dhe media kanë përgjegjësinë të mos e trajtojnë këtë hapësirë vetëm si objekt kritike, por edhe si hapësirë pjesëmarrjeje — duke sjellë perspektivën e qytetarit atje ku merren vendimet.

Çfarë duhet pritur realisht

Është e nevojshme të vendosen pritje të matura, sepse mbipremtimi është një nga arsyet pse iniciativat e ngjashme humbin besueshmërinë.

Një studim fizibiliteti nuk zgjidh probleme zhvillimore; ai tregon nëse një ndërhyrje ka kuptim, me çfarë kostoje dhe me çfarë rreziqesh. Rezultati mund të jetë edhe negativ — dhe një rezultat negativ i argumentuar mirë është po aq i vlefshëm sa një i pozitiv.

Ndërtimi i lidhjeve institucionale mes katër sektorëve matet në vite, jo në muaj. Sfidat janë të njohura: fragmentimi i të dhënave, kapacitetet e kufizuara absorbuese të komunave, qëndrueshmëria financiare e kërkimit, dhe ikja e kuadrove të reja. Asnjëra prej tyre nuk zgjidhet nga një projekt i vetëm.

Ajo që mund të pritet në këtë fazë është më e thjeshtë dhe njëkohësisht themelore: krijimi i një precedenti funksional — një bashkëpunim i dokumentuar, i verifikueshëm dhe i përsëritshëm mes universitetit dhe komunave.

Pse ndërgjegjësimi është pjesë e misionit

Ka një arsye pse ky proces duhet të diskutohet publikisht dhe jo vetëm brenda mureve institucionale. Heliksi i katërfishtë nuk mund të ndërtohet nga lart. Ai kërkon që secili aktor ta kuptojë rolin e vet dhe ta pranojë atë si detyrim, jo si favor ndaj palës tjetër.

Ndërgjegjësimi këtu nuk nënkupton fushatë promovuese. Nënkupton një bisedë publike të ndershme për atë çfarë universitetet mund dhe nuk mund të bëjnë, çfarë komunat kanë të drejtë të kërkojnë prej tyre, dhe çfarë kushtesh duhen krijuar që bashkëpunimi të mos mbetet në nivelin e memorandumeve të nënshkruara e të harruara.

Angazhimi i personelit akademik të UHZ-së në interes të komunave është, në këtë kuptim, një test. Jo vetëm për universitetin, por për të gjithë aktorët e përfshirë. Rezultati i tij do të matet me një kriter të vetëm: nëse pas përfundimit të projektit do të ekzistojë një mekanizëm bashkëpunimi që vazhdon të funksionojë edhe pa projektin.

Shko në krye