Nën drejtimin e Prof. asoc. Dr. sc. Elvis Elezaj, përfaqësuesit e grupeve punuese kanë filluar punën për zbatimin e projektit të fizibilitetit, i realizuar në kuadër të FERD-it dhe Institutit për Shkencë dhe Arte të Universitetit “Haxhi Zeka”.
Takimi i parë i grupeve punuese shënoi nisjen zyrtare të aktiviteteve, ku u përcaktuan objektivat, ndarja e detyrave dhe dinamika e punës për fazat e ardhshme të projektit. Grupet janë të përbëra nga personel akademik dhe hulumtues i UHZ-së, të cilët do të angazhohen në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, vlerësimin e kapaciteteve ekzistuese dhe hartimin e rekomandimeve konkrete.
Ky akt shënon një moment të rëndësishëm për një ndërmarrje të veçantë, në të cilën personeli akademik i UHZ-së angazhohet drejtpërdrejt në interes të komunave. Përmes këtij projekti, njohuritë dhe ekspertiza e krijuar brenda universitetit vihen në shërbim të planifikimit dhe zhvillimit lokal, duke ofruar bazë të argumentuar shkencore për vendimmarrjen institucionale.
Studimi i fizibilitetit pritet të ofrojë një pasqyrë të qartë të mundësive dhe sfidave zhvillimore, si dhe të shërbejë si dokument orientues për projektet e ardhshme investive në nivel komunal.
Bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe institucioneve komunale konsiderohet një hap përpara në forcimin e lidhjes mes akademisë dhe komunitetit, duke e pozicionuar UHZ-në si aktor aktiv në proceset zhvillimore të rajonit.
Aktivitetet e grupeve punuese do të vazhdojnë sipas planit dinamik të miratuar, deri në finalizimin e raportit përfundimtar të projektit.
