Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Universiteti “Haxhi Zeka” në qendër të bashkëpunimit akademik evropian: Fillon punëtoria ndërkombëtare e projektit NAWA

Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë ka filluar punëtoria ndërkombëtare treditore në kuadër të projektit “Studenti kompetent – i diplomuari me përvojë: Punëtori për zhvillimin e kompetencave të nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm në tregun e punës”, i financuar nga Agjencia Kombëtare Polake për Shkëmbim Akademik – NAWA.

Aktiviteti po zhvillohet nga 31 gusht deri më 4 shtator 2026 dhe ka mbledhur në Universitetin “Haxhi Zeka” 45 studentë nga pesë universitete partnere evropiane, me nga nëntë studentë nga secili institucion. Në këtë aktivitet marrin pjesë studentë nga Universiteti i Opoles në Poloni, Universiteti i Valencias në Spanjë, Universiteti Mendel në Brno të Republikës Çeke, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës të Shqipërisë dhe Universiteti “Haxhi Zeka”.

Tema qendrore e punëtorisë është “Zhvillimi i qëndrueshëm përballë mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare: ndërtimi i kompetencës normative përmes vlerave, trashëgimisë, turizmit dhe inovacionit”. Përmes kësaj teme synohet që studentët të zhvillojnë njohuri dhe kompetenca të nevojshme për përballimin e sfidave bashkëkohore dhe për një përfshirje më të suksesshme në tregun e punës.

Aktivitetet akademike filluan të martën, më 1 shtator, në Fakultetin e Biznesit të Universitetit “Haxhi Zeka”. Programi nisi me aktivitetet për ndërtimin e ekipit, të udhëhequra nga Prof. Dr. Edmond Beqiri dhe Prof. Dr. Ibish Mazreku, të cilat u pasuan nga prezantimi i detyrave të projektit dhe organizimi i punës së studentëve në grupe.

Pjesë e rëndësishme e programit janë ligjëratat dhe aktivitetet praktike të udhëhequra nga trajneret Mimoza Luta, Arbërora (Nora) Haxhija dhe Blerta Begolli.

Arbërora (Nora) Haxhija trajton temën “Diversiteti kulturor, toleranca dhe trashëgimia kombëtare në Evropën Juglindore”, me fokus në rëndësinë e vlerave kulturore, tolerancës dhe trashëgimisë në shoqërinë bashkëkohore.

Blerta Begolli zhvillon temën “Turizmi shëndetësor, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e trashëgimisë lokale në rajonin e Pejës”, duke ndërlidhur potencialet e rajonit me zhvillimin e qëndrueshëm dhe turizmin.

Ndërsa Mimoza Luta trajton temën “Qëndrueshmëria, ekonomia qarkore dhe inovacioni digjital në Living Lab”, me fokus në qasjet inovative dhe mundësitë që ofron transformimi digjital për zhvillimin e qëndrueshëm.

Në ceremoninë solemne të hapjes së punëtorisë, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi. Të pranishmëve iu drejtuan gjithashtu Dr. Elżbieta Szymańska-Czaplak, koordinatore e projektit nga Universiteti i Opoles, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Edmond Beqiri, si dhe Prorektorja Prof. Assoc. Alma Shehu Lokaj, e cila prezantoi Universitetin “Haxhi Zeka” punen , te arriturat dhe rolin e UHZ në kuadër të këtij bashkëpunimi ndërkombëtar.

Punëtoria do të vazhdojë me ligjërata, punë praktike, aktivitete të përbashkëta dhe punë ekipore të studentëve nga pesë universitetet partnere. Programi përfshin gjithashtu vizita studimore që ndërlidhen drejtpërdrejt me temat e trajtuara gjatë punëtorisë.

Një pjesë e veçantë e programit do t’i kushtohet vizitave në rajonin e Rugovës, me fokus në turizmin aventuror dhe trashëgiminë natyrore, si dhe aktiviteteve që lidhen me turizmin shëndetësor dhe potencialet e rajonit të Pejës.

Ky projekt dëshmon përkushtimin e Universitetit “Haxhi Zeka” ndaj ndërkombëtarizimit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucione partnere evropiane, duke krijuar mundësi të reja për studentët që të zhvillojnë njohuri, aftësi profesionale dhe kompetenca të transferueshme.

Në të njëjtën kohë, përmes përvojave praktike, punës ekipore, shkëmbimit ndërkulturor dhe lidhjes së drejtpërdrejtë të mësimit me sfidat reale të tregut të punës, projekti synon t’i afrojë studentët më shumë me kërkesat e tregut të punës dhe t’i përgatisë ata për një tranzicion më të suksesshëm nga studimet drejt punësimit.

Përmes këtij projekti, Universiteti “Haxhi Zeka” vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e studentëve, duke e ndërlidhur arsimin cilësor me ndërkombëtarizimin, inovacionin dhe nevojat e tregut bashkëkohor të punës.

Shko në krye