“Një universitet që synon të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror duhet të dijë me saktësi realitetin mbi të cilin ndërton analizat dhe rekomandimet e veta. Për UHZ-në, të dhënat zyrtare të ASK-së nuk janë vetëm burim informacioni, por një infrastrukturë e domosdoshme e dijes dhe e planifikimit zhvillimor,” ishte mesazhi që u theksua gjatë takimit.
Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, zhvilloi sot një takim pune shumë përmbajtjesor me z. Enver Kelmendi, Shef i Zyrës Rajonale të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në Pejë, dhe me zyrtaren e kësaj Agjencie, znj. Mirlinda S. Shala.
Takimi u zhvillua në një frymë të hapur dhe konstruktive, me fokus të veçantë në krijimin e një bashkëpunimi më të strukturuar ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sidomos në fushën e sigurimit, përdorimit dhe interpretimit të të dhënave zyrtare statistikore për nevojat e kërkimit shkencor, planifikimit institucional dhe projekteve zhvillimore.
Rektori Krasniqi i njoftoi përfaqësuesit e ASK-së me dinamikën e zhvillimeve që po ndodhin në Universitetin “Haxhi Zeka” në kuadër të tri misioneve universitare – mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe misionit të tretë, duke theksuar se faza e re e zhvillimit të Universitetit kërkon që vendimmarrja, kërkimi dhe projektet me ndikim shoqëror të mbështeten gjithnjë e më shumë në evidencë dhe të dhëna të besueshme.
Në këtë kontekst, Rektori Krasniqi nënvizoi rëndësinë e veçantë që kanë të dhënat zyrtare të ASK-së për Rajonin e Pejës dhe më gjerë, duke theksuar se projektet zhvillimore dhe orientimet shkencore të Universitetit nuk mund të arrijnë cilësinë, objektivitetin dhe ndikimin e synuar nëse nuk mbështeten në të dhëna statistikore të sakta, të verifikuara dhe metodologjikisht të qëndrueshme.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua mundësisë që përfaqësuesit e ASK-së të përfshihen në mënyrë aktive në aktivitetet që zhvillohen përmes Institutit për Shkencë dhe Arte, Forumit Ekonomik Rajonal të Dukagjinit – FERD, UNI-NOVA-s dhe Qendrës për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut, sa herë që projektet, analizat apo aktivitetet shkencore kërkojnë përdorimin dhe interpretimin e statistikave zyrtare.
Z. Enver Kelmendi shprehu kënaqësinë për zhvillimin e këtij takimi dhe gatishmërinë që Zyra Rajonale e ASK-së në Pejë të jetë një partner aktiv i Universitetit në aktivitetet ku të dhënat statistikore përbëjnë element të rëndësishëm të analizës dhe të argumentimit shkencor. Ai shprehu vullnetin që përfaqësuesit e ASK-së, brenda kompetencave institucionale, të jenë të pranishëm në takime pune, aktivitete dhe ngjarje shkencore të UHZ-së https://unhz.eu/ që lidhen drejtpërdrejt me fushën e statistikave zyrtare.
Gjatë diskutimit u trajtua edhe mundësia e një përfshirjeje më të strukturuar të ekspertizës së ASK-së në bordet dhe këshillat biznes-industriale të Universitetit, si dhe në procese të caktuara të zhvillimit programor, kërkimit shkencor dhe analizave socio-ekonomike. Një ndërveprim i tillë do të mundësonte që programet, projektet dhe studimet e Universitetit të ndërtohen mbi një njohje më të saktë të zhvillimeve demografike, ekonomike, sociale dhe territoriale.
Rektori Krasniqi theksoi se, në vizionin aktual të UHZ-së, bashkëpunimi me ASK-në ka rëndësi prioritare, sepse ndërlidhja e kapaciteteve akademike me statistikën zyrtare krijon mundësi që Universiteti të prodhojë analiza më cilësore, politika më të argumentuara dhe rekomandime më të dobishme për komunat, bizneset dhe institucionet publike.
Palët u pajtuan që çdo formë e shkëmbimit të të dhënave, bashkëpunimit profesional dhe përfshirjes institucionale të zhvillohet në respektim të plotë të legjislacionit në fuqi, standardeve të statistikave zyrtare, konfidencialitetit dhe kompetencave institucionale të ASK-së.
Takimi shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një partneriteti ku statistika zyrtare dhe shkenca universitare takohen në funksion të së njëjtës çështje: njohjes së saktë të realitetit dhe shndërrimit të kësaj njohurie në politika, projekte dhe zhvillim të qëndrueshëm.
