Universiteti “Haxhi Zeka” pati nderin të mirëpresë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i cili mbajti një ligjëratë para studentëve pjesëmarrës në Universitetin Ndërkombëtar Veror – UNISUM, duke e shndërruar këtë aktivitet në një hapësirë të rëndësishme dialogu ndërmjet politikëbërjes, akademisë dhe rinisë. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Hajrulla Çeku.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti ndau vizionin e tij për zhvillimin e arsimit të lartë si një nga shtyllat themelore të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe demokratik të vendit. Ai theksoi se universitetet janë institucione kyçe në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në dije, inovacion dhe kërkim shkencor, duke vënë në pah rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në cilësinë akademike, ndërkombëtarizimin, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.
Duke folur për politikat në mbështetje të arsimit të lartë, Kryeministri nënvizoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të krijuar kushte më të mira për studentët, përmes rritjes së investimeve në arsim, zgjerimit të mundësive për studim brenda dhe jashtë vendit, mbështetjes së kërkimit shkencor dhe fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe institucioneve publike. Ai theksoi se të rinjtë dhe studentët përbëjnë potencialin më të madh zhvillimor të vendit dhe se mbështetja e tyre është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e Kosovës.
Një moment i veçantë i ligjëratës ishte bashkëbisedimi i drejtpërdrejtë me studentët, të cilët shtruan pyetje mbi arsimin, zhvillimin ekonomik, politikat publike, integrimin evropian, ndërkombëtarizimin dhe perspektivën e të rinjve në Kosovë. Me përgjigjet dhe diskutimin e hapur, Kryeministri Kurti inkurajoi mendimin kritik, pjesëmarrjen aktive dhe dialogun si vlera themelore të një shoqërie demokratike. Atmosfera interaktive e këtij takimi dëshmoi rolin që universiteti luan si hapësirë e debatit të lirë, shkëmbimit të ideve dhe formimit të qytetarëve aktivë.
Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Universitetit “Haxhi Zeka” dhe angazhimin në fuqizimin e arsimit të lartë në Kosovë, Kryesuesja e Këshillit Drejtues, Prof. Ass. Dr. Emine Abdyli Pozhari, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Dr. Edmond Beqiri, i ndanë certifikata mirënjohjeje Kryeministrit z. Albin Kurti dhe Ministrit të MASHT-it, z. Hajrulla Çeku, si shprehje e vlerësimit institucional për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre në mbështetje të zhvillimit të universitetit.
Pjesëmarrja e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në Universitetin Ndërkombëtar Veror përbën një dëshmi të rëndësisë që institucionet shtetërore i kushtojnë arsimit të lartë dhe dialogut me të rinjtë. Për studentët, kjo ligjëratë ishte një mundësi e veçantë për të bashkëbiseduar drejtpërdrejt me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të vendit, ndërsa për Universitetin “Haxhi Zeka” një konfirmim i rolit të tij si një qendër akademike që promovon mendimin kritik, bashkëpunimin institucional dhe ndërkombëtarizimin.
Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar në organizimin e aktiviteteve akademike që forcojnë dialogun ndërmjet akademisë, institucioneve dhe shoqërisë, duke promovuar shkëmbimin e dijes, mendimin kritik dhe kulturën e bashkëpunimit. Përmes nismave si Universiteti Ndërkombëtar Veror, universiteti avancon procesin e ndërkombëtarizimit, krijon mundësi për bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe kontribuon në përgatitjen e gjeneratave të reja me kompetenca globale, të afta për të udhëhequr zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.





















