Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar: UHZ dhe Ambasada Gjermane diskutojnë mundësitë për mobilitet dhe partneritete të reja akademike

U mbajt një takim i rëndësishëm ndërmjet përfaqësuesve të Ambasadës Gjermane në Kosovë, znj. Catalina Heine dhe z. Adrian Ramabaja, dhe menaxhmentit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, me fokus në fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe institucioneve të arsimit të lartë në Gjermani, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbime akademike, projekte të përbashkëta dhe zhvillim institucional.

Gjatë takimit, Rektori i Universitetit informoi të pranishmit për zhvillimet e fundit në universitet, duke theksuar avancimin e programeve studimore, rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe angazhimin për ngritjen e cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor.

Në vijim të diskutimeve, palët shqyrtuan mundësitë konkrete për identifikimin e bashkëpunimeve të reja ndërmjet UHZ dhe universiteteve gjermane, me theks të veçantë në mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, si dhe në zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore.

Gjithashtu, u dakordua që në periudhën në vijim të organizohen aktivitete informuese për studentët e Universitetit “Haxhi Zeka”, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi mundësitë e studimit dhe mobilitetit në Gjermani. Këto aktivitete do të realizohen në bashkëpunim me programin DAAD, duke përfshirë sesione informuese dhe prezantime.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe për të konkretizuar iniciativat e përbashkëta në të ardhmen, duke e konsideruar këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Shko në krye