Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Njoftim për palët e interesit dhe opinionin publik

Kampus i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë dëshiron të informojë të gjithë studentët, personelin akademik dhe administrativ, institucionet partnere si dhe opinionin e gjerë publik lidhur me një proces të rëndësishëm tranzicioni në fushën e digjitalizimit dhe administrimit universitar.

Që nga viti 2013, Universiteti “Haxhi Zeka” ka përdorur një sistem elektronik për menaxhimin dhe administrimin e të dhënave të studentëve, i cili është ofruar nga një operator i jashtëm dhe që ka qenë i ngjashëm me sistemet e përdorura edhe në universitetet e tjera publike në Kosovë.

Duke qenë se kontrata për shërbimet e sistemit të menaxhimit universitar ka përfunduar, Universiteti “Haxhi Zeka” dëshiron të sigurojë të gjitha palët e interesit se kjo situatë nuk paraqet një gjendje të jashtëzakonshme, por një proces normal institucional të tranzicionit për ndërtimin e një platforme më të avancuar dhe plotësisht të kontrolluar nga vetë universiteti. Në këtë periudhë tranzicioni, administrata qendrore e universitetit dhe njësitë akademike janë duke punuar intensivisht për të siguruar funksionimin e rregullt të proceseve akademike dhe administrative. Qëllimi i këtij procesi është rritja e cilësisë së shërbimeve administrative, përmirësimi i efikasitetit institucional dhe krijimi i një infrastrukture digjitale moderne që i shërben në radhë të parë interesit të studentëve dhe të komunitetit akademik.

Universiteti “Haxhi Zeka” shpreh mirënjohjen për mirëkuptimin dhe durimin e të gjitha palëve të interesuara gjatë kësaj periudhe të shkurtër tranzicioni dhe siguron se çdo hap i ndërmarrë në këtë proces është i bazuar në standarde profesionale, në siguri të plotë juridike dhe teknike, si dhe në përputhje me interesin afatgjatë të zhvillimit të universitetit.

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë mbetet i përkushtuar për modernizimin e vazhdueshëm të proceseve të tij akademike dhe administrative dhe për ndërtimin e një infrastrukture digjitale që i përgjigjet standardeve bashkëkohore të arsimit të lartë.

Shko në krye