Bartësit e programeve studimore të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë morën pjesë në takimin informues të organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), ku u diskutua në detaje mbi procedurat pas-akredituese dhe rolin e institucioneve të arsimit të lartë në këtë proces.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e AKA-së prezantuan qëllimin dhe rëndësinë e procedurave pas-akredituese, të cilat fokusohen në verifikimin e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga ekspertët ndërkombëtarë gjatë procesit të akreditimit dhe të reflektuara në raportet përkatëse të vlerësimit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua Planit të Zbatimit të Rekomandimeve (PZR), si dokument kyç për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë akademike, si dhe përgjegjësive të institucioneve të arsimit të lartë gjatë gjithë procesit pas-akreditues.
Pjesëmarrja e bartësve të programeve studimore në këtë takim përforcon angazhimin e Universitetit “Haxhi Zeka” për sigurim të cilësisë, transparencë institucionale dhe përmbushje të standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të akreditimit, në funksion të avancimit të mësimdhënies dhe të përvojës akademike të studentëve.




