Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Takim i Universitetit “Haxhi Zeka” me Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen

Sot, përfaqësues të Universitetit “Haxhi Zeka” zhvilluan një takim të frytshëm me Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, z. Matti Nissinen. Takimi u mbajt në ambientet e Kosova Innovation Hub, në një atmosferë bashkëpunuese dhe vizionare për të ardhmen e arsimit të lartë.

Në emër të universitetit, morën pjesë Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. dr. Edmond Beqiri dhe Drejtoresha për Projekte Ndërkombëtare, znj. Arberora Haxhija, të cilët theksuan gatishmërinë dhe përkushtimin e Universitetit “Haxhi Zeka” për të zgjeruar rrjetin e partneriteteve ndërkombëtare, në veçanti me institucionet finlandeze të arsimit të lartë.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit akademik me shtetin finlandez, përfshirë programe të përbashkëta studimi, shkëmbime të stafit dhe studentëve, si dhe projekte kërkimore. Ambasadori Nissinen vlerësoi përpjekjet e universitetit për ndërkombëtarizim dhe theksoi përkushtimin e Finlandës për mbështetjen e arsimit cilësor në Kosovë.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe institucioneve partnere në Finlandë.

Go to Top
🎓Programet 2025/26