Universiteti “Haxhi Zeka” nënshkruan marrëveshje me organizata kyçe të bjeshkatarisë
Në kuadër të angazhimit për zhvillim të qëndrueshëm rajonal dhe lidhje më të ngushta me komunitetin, Universiteti Haxhi Zeka ka nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës si dhe me Shoqatën Bjeshkatare “Gjeravica”.
Marrëveshjet u zyrtarizuan nga rektori i UHZ-së, Prof. Dr. Armand Krasniqi dhe Z. Zejnullah Luta , Kryetar I Shoqatës Bjeshkatare “Gjeravica” si dhe Z. Arianit Nikqi, Kryetar ne Federatën e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës gjatë një takimi të përbashkët ku të gjitha palët shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit.
Në qendër të diskutimeve ishte potenciali i madh natyror dhe turistik i rajonit të Dukagjinit, dhe mundësitë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e turizmit malor, mbrojtjes së mjedisit dhe përfshirjes së studenteve në aktivitete.
Përmes këtij bashkëpunimi, UHZ synon të ofrojë mundësi praktike për studentët, të mbështesë kërkimin shkencor dhe të promovojë përfshirjen aktive në nisma që lidhen me turizmin e qëndrueshëm dhe sportin malor.
Po ashtu, ky bashkëpunim përkon me përkushtimin strategjik të universitetit për përafrimin e kurrikulave mësimore me kërkesat reale të tregut të punës – veçanërisht në fushat si turizmi dhe shkencat mjedisore.
Rektori Krasniqi theksoi se bashkëpunime të tilla jo vetëm që forcojnë misionin edukativ të universitetit, por kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin socio-ekonomik të rajonit.
Duke bashkuar akademinë, shoqërinë civile dhe organizatat profesionale, UHZ po e vendos veten si një faktor kyç në nxitjen e inovacionit dhe rritjes së qëndrueshme në Dukagjin.





