Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

UHZ ZGJERON PERSPEKTIVAT E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR PËRMES TAKIMEVE NË EAIE 2026

Në vazhdë të pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare EAIE 2026 në Glasgow, delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka”, i përbërë nga Prof. ass. dr. Emine Abdyli Pozhari, kryesuese e Këshillit Drejtues; Prof. asoc. dr. Mersiha Kacamakovic, anëtare e Këshillit Drejtues; dhe Prof. ass. dr. Alma Shehu Lokaj, prorektore për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të arsimit të lartë, me synim zgjerimin e partneriteteve akademike dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin universitar.

Gjatë takimit me përfaqësues të universiteteve në Zvicër, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit, me theks të veçantë në fushën e turizmit. Bashkëpunimi në këtë drejtim do të mbështesë shkëmbimin e përvojave akademike dhe praktikave të mira në edukimin për turizëm dhe hoteleri, si dhe forcimin e lidhjes ndërmjet mësimdhënies dhe kërkesave të industrisë. Një perspektivë e tillë paraqet interes për zhvillimin e kompetencave profesionale të studentëve dhe avancimin e qasjeve bashkëkohore ndaj menaxhimit të turizmit.

Në takimin me përfaqësues të Universitetit Rovira i Virgili, Spanjë, vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për studime të nivelit master për studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Fakultetit të Agrobiznesit të UHZ-së, përmes financimit nga programi Erasmus Mundus. Në kuadër të këtyre diskutimeve, pritet që së shpejti të hapen mundësi aplikimi, të cilat do t’u ofronin studentëve përvojë akademike ndërkombëtare dhe mundësi për zgjerimin e njohurive e kompetencave të tyre.

Një takim i frytshëm u zhvillua edhe me përfaqësues të Universitetit të Lille në Francë, me të cilët u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional. Takimi krijoi hapësirë për identifikimin e interesave të përbashkëta akademike dhe për shqyrtimin e perspektivave për bashkëpunim në mësimdhënie dhe kërkim shkencor. Zhvillimi i mëtejshëm i këtij kontakti mund të shërbejë si bazë për shkëmbime akademike dhe nisma të përbashkëta në fusha me interes për të dyja institucionet.

Në kuadër të konferencës, delegacioni zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësues të PAR University of Applied Sciences të Kroacisë, gjatë të cilit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim akademik dhe shkëmbim të përvojave institucionale. Bashkëpunimi i mundshëm do të kontribuonte në zhvillimin e nismave të përbashkëta dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin e dy institucioneve

Një tjetër takim me interes ishte ai me përfaqësues të Universitetit Afyon Kocatepe. Takimi shërbeu për vendosjen e kontakteve dhe eksplorimin e mundësive për bashkëpunim të ardhshëm. Vijimi i komunikimit ndërmjet institucioneve do të mundësojë identifikimin e fushave prioritare dhe shqyrtimin e nismave të përbashkëta në funksion të ndërkombëtarizimit dhe shkëmbimit të përvojave akademike.

Konferenca EAIE 2026 vazhdon me aktivitete dhe takime të tjera, ndërsa në ditët në vijim priten zhvillime të reja lidhur me mundësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit “Haxhi Zeka”. Delegacioni i UHZ-së do të vijojë angazhimin për zgjerimin e partneriteteve akademike dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin universitar.

Shko në krye