Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Mirënjohje për njeriun që nuk harroi kurrë prej nga erdhi

Me dedikim Edvard Kushninit,  mikut të studentëve e të Universitetit “Haxhi Zeka”

Ka histori jete që nuk shkruhen për suksesin material, por për madhështinë njerëzore. Ka njerëz që nuk maten me atë që kanë ndërtuar për veten, por me atë që kanë dhënë për të tjerët. Një ndër këta njerëz është pa dyshim Edvard Kushnini – Edi, nga Shpenadia e Komunës së Prizrenit.

Si shumica e të rinjve shqiptarë të viteve ’90 të shekullit të kaluar, edhe ai u përball herët me dhunën, pasigurinë dhe skamjen. I shtyrë nga nevoja për të mbajtur familjen dhe për të ruajtur dinjitetin, mori rrugën e gurbetit, një rrugë e vështirë, por e njohur për dhjetëra mijëra shqiptarë të asaj kohe. Sot, ai jeton dhe vepron me familjen e tij në Zarë të Kroacisë, duke ndërtuar një jetë të ndershme, një veprimtari të suksesshme afariste dhe një emër të respektuar në komunitet.

Rruga e tij jetësore, në pamje të parë, mund të mos dallojë shumë nga ajo e bashkëatdhetarëve të tjerë të mërgatës sonë. Por ajo që e bën Edvard Kushninin të veçantë është diçka që nuk blihet, nuk imitohet dhe nuk imponohet: ndjenja e thellë e përkatësisë, dashuria e sinqertë për njerëzit e vet dhe përkushtimi i pashtershëm ndaj bashkëkombësve.

Në emër të Universitetit “Haxhi Zeka”, ndjejmë detyrim moral dhe institucional që t’i shprehim respektin, mirënjohjen dhe falënderimin tonë të veçantë. Në kuadër të marrëveshjeve dhe bashkëpunimit akademik me Universitetin e Zarës, studentët e Korit të Fakultetit të Arteve të UHZ-së, të cilët prej vitesh marrin pjesë në ngjarje kulturore ndërkombëtare në këtë qytet, kanë gjetur tek Edi dhe bashkëshortja e tij, Nora, jo vetëm mikpritje, por një përkujdesje të rrallë, pothuajse prindërore.

Ai ka ditur të mirëpresë me dhjetëra studentë dhe pedagogë, t’i nderojë dhe t’i mbështesë pa asnjë interes personal, përveç ndjenjës së krenarisë kombëtare dhe asaj burrërore që e karakterizon. Shtëpia e tij ka qenë gjithmonë e hapur, fjala e tij e ngrohtë dhe zemra e tij e madhe. Ky është një humanizëm i heshtur, por i thellë; një filantropi që nuk kërkon duartrokitje, por buron natyrshëm nga shpirti.

Nuk ka dilemë se kombi ynë është i bekuar me njerëz të tillë në çdo cep të botës. Megjithatë, Edvard Kushnini është i veçantë. Ai është zemërgjerë, filantrop, afarist i suksesshëm dhe qytetar me integritet të lartë moral. Mbi të gjitha, ai është shembull i gjallë se suksesi i vërtetë nuk është vetëm të ngjitesh lart, por të mos harrosh kurrë dorën që ke për të zgjatur drejt të tjerëve.

Universiteti “Haxhi Zeka” shpreh mirënjohjen më të thellë për Edvard Kushninin dhe familjen e tij, duke e konsideruar këtë respekt jo vetëm si falënderim për atë që ka bërë, por si vlerësim për atë që ai përfaqëson: njeriun që mbeti njeri, edhe larg atdheut.

Shko në krye