Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

ALUMNI & UHZ – NJË LIDHJE QË NUK SHUHET KURRË: TAKIMI QË RIKTHEU EMOCIONIN, KRENARINË DHE VIZIONIN E SË ARDHMES

Zyra e Karrierës e Universitetit “Haxhi Zeka”, në kuadër të aktiviteteve të saj të vazhdueshme dhe me fokus të veçantë te alumni i të gjitha njësive akademike, organizoi një takim ceremonial frymëzues, i cili dëshmoi edhe një herë se lidhja mes universitetit dhe ish-studentëve të tij nuk është vetëm kujtim, por një partneritet i gjallë dhe i qëndrueshëm në kohë. Ky event mblodhi një numër të konsiderueshëm ish-studentësh, të cilët sot mbajnë pozita të rëndësishme në institucione shtetërore dhe private anembanë vendit, duke reflektuar drejtpërdrejt ndikimin e Universitetit “Haxhi Zeka” në formimin profesional dhe shoqëror të brezave.

Takimi u hap nga z. Abedin Selimaj, Drejtor i Zyrës së Karrierës në UHZ, i cili përshëndeti ngrohtësisht të pranishmit dhe theksoi rolin e pazëvendësueshëm që alumni ka në zhvillimin dhe konsolidimin institucional të universitetit. Në fjalën e tij, Drejtori Selimaj prezantoi punën e Zyrës së Karrierës dhe aktivitetet e realizuara gjatë kësaj periudhe, duke vënë theks të veçantë në faktin se komponenta e alumnit është jetike për UHZ-në, jo vetëm si urë komunikimi me tregun e punës, por edhe si burim përvoje, këshillimi dhe bashkëpunimi afatgjatë.

Në këtë takim ceremonial ishte i pranishëm edhe Prof. Dr. Armand Krasniqi, Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”, i cili theksoi se takimet me ish-studentët jo vetëm që ngjallin emocione dhe rikthejnë kujtime të çmuara, por njëkohësisht shërbejnë si bazë e fuqishme motivimi për zhvillimin e mëtejmë institucional. Rektori Krasniqi nënvizoi në mënyrë të posaçme se alumni dhe UHZ janë fytyra dhe shpirti i universitetit, të lidhur përjetësisht, sepse rrugëtimi i përbashkët nuk përfundon me marrjen e diplomës. Ai theksoi se menaxhmenti i universitetit dhe i fakulteteve është i angazhuar vazhdimisht në përmirësimin e veprimtarisë akademike, me synimin që diplomat e lëshuara nga ky institucion, edhe ato të fituara vite më parë, të fitojnë çdo ditë më shumë peshë, integritet dhe vlerë në jetën profesionale dhe shoqërore.

Gjatë fjalës së tij, Rektori i njohu alumnit me arritjet e Universitetit “Haxhi Zeka” dhe njësive të tij akademike, veçanërisht në sferën e programeve të akredituara në të tri nivelet e studimit, përmirësimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, zhvillimin e kurrikulës së integruar ndëruniversitare, profilizimin e stafit akademik, si dhe fuqizimin e komponentës shkencore-kërkimore përmes Institutit për Shkencë dhe Arte. Ai vuri në pah edhe rolin dhe rëndësinë e Forumit Ekonomik Rajonal Dukagjini (FERD) në kuadër të misionit të tretë të universitetit, themelimin e UNI-NOVA-s, bashkëpunimin ndërkombëtar, projektin për ndërtimin e Inkubatorit të Biznesit si qendër kombëtare, si dhe fillimin e shpejtë të punës së Fakultetit të ri të Teknologjive Bashkëkohore. Të gjitha këto, sipas Rektorit Krasniqi, janë komponentë thelbësorë për fuqizimin e UHZ-së në modelin e Universitetit 4.0, në logjikën e heliksit të katërfishtë, e cila po ndërtohet çdo ditë me studentin në qendër, në shpirt dhe në zemër.

Në këtë atmosferë të veçantë u drejtua me fjalë përshëndetëse edhe alumni Granit Cena, sot avokat i njohur, i cili ndau përvojën e tij profesionale dhe lidhjen e vazhdueshme me universitetin ku kishte hedhur themelet e rrugëtimit të tij akademik. I gjithë eventi u shoqërua me emocione, kujtime dhe reflektime, por mbi të gjitha me një premtim të ndërsjellë për takime edhe më të shpeshta dhe për një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë ndërmjet alumnit dhe Universitetit “Haxhi Zeka”, si një familje akademike që rritet, forcohet dhe ecën përpara së bashku.

Në këtë drejtim, Zyra e Karrierës e Universitetit “Haxhi Zeka” ka paraparë rritjen e aktiviteteve dhe forcimin e rolit të alumnit në jetën akademike dhe institucionale të UHZ-së, duke e pozicionuar atë si partner të drejtpërdrejtë në zhvillimin, cilësinë dhe vizionin afatgjatë të universitetit.

Shko në krye