Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” PËRMBYLL CIKLIN E VIZITAVE NË NJËSITË AKADEMIKE ME FAKULTETIN E ARTEVE

Menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka përmbyllur sot ciklin e takimeve me njësitë akademike, përmes një vizite dhe diskutimi konstruktiv me personelin akademik dhe administrativ të Fakultetit të Arteve, një nga njësitë më specifike dhe më të rëndësishme kreative të universitetit.

Gjatë këtij takimi u prezantuan dhe u diskutuan idetë dhe propozimet fillestare për Planin Strategjik 2026–2030, duke shënuar vazhdimin e fazës së parë të procesit gjithëpërfshirës të hartimit të vizionit dhe misionit të ri institucional. Rektori i UHZ-së, Prof. Dr. Armand Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorët e afërt, theksoi rëndësinë e angazhimit aktiv të Fakultetit të Arteve, si një njësi me rol të veçantë në zhvillimin kulturor, kreativ dhe artistik të universitetit, të komunitetit më të gjerë, si dhe në forcimin e prezencës së UHZ-së në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar përmes projekteve artistike, bashkëpunimeve kulturore dhe iniciativave akademike që promovojnë artin dhe kreativitetin kosovar në arenën globale.

Diskutimet u fokusuan në nevojën për të integruar më fuqishëm artin, kulturën, inovacionin dhe kreativitetin në kornizën strategjike të universitetit, si dhe në rritjen e bashkëpunimeve me institucione kulturore, artistike dhe akademike në nivel vendor dhe ndërkombëtar. 

Ashtu si në takimet e ditëve paraprake me Fakultetin e Biznesit, Fakultetin e Menaxhimit në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis, dhe Fakultetin Juridik, edhe ky takim u zhvillua në një atmosferë profesionale dhe bashkëpunuese, duke shënuar angazhimin e qartë të UHZ-së për një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.

Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar të ndërtojë një Plan Strategjik 2026–2030 që pasqyron zhvillimet bashkëkohore në arsimin e lartë, inovacionin, kreativitetin, kërkimin shkencor, digjitalizimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar – duke synuar një vizion të qartë, modern dhe të orientuar drejt standardeve evropiane.

Shko në krye