Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

LAJM | Universiteti “Haxhi Zeka” – Fillojnë diskutimet për Planin e Ri Strategjik 2026–2030

Sot, menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” zhvilloi një takim pune me stafin akademik dhe administrativ të Fakultetit të Agrobiznesit, ku u prezantuan idetë dhe propozimet fillestare për Planin e Ri Strategjik të UHZ për periudhën 2026–2030. Ky takim shënon fazën e parë të procesit gjithëpërfshirës të diskutimeve dhe analizave për misionin dhe vizionin e ri të universitetit.

Prof. Dr. Armand Krasniqi, Rektor i UHZ, në fjalën e tij theksoi arritjet institucionale gjatë katër viteve të fundit, duke vënë theks të veçantë te nevoja për zhvillim të qëndrueshëm, fuqizim të kërkimit shkencor dhe rritje të kontributit të universitetit në misionin e tretë – zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Rektori theksoi se këtë fazë të re zhvillimi UHZ-ja do ta ndërtojë mbi entitete të reja institucionale, të themeluara nga Këshilli Drejtues, me qëllim që universiteti të bëhet një qendër e dijes, inovacionit dhe ndikimit shoqëror.

Takimi u karakterizua nga diskutime konstruktive, prezantime të ideve kreative dhe sugjerime profesionale, të cilat do të përfshihen në objektivat dhe detyrat e planit të ri strategjik. Procesi pritet të vazhdojë me sesione të tjera konsultuese me një qasje gjithëpërfshirëse dhe dialogu me palët e interesit, brenda dhe jashtë universitetit.

🔜 Më shumë informacione do të publikohen me vijimin e procesit.
🎯 UHZ – drejt standardeve moderne universitare, inovacionit dhe shkencës me ndikim real!

Shko në krye