Më 07.10.2025, në Sallën Doktorale të Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka” (UHZ), u zhvillua trajnimi profesional “Zhvillimi i Kompetencave dhe Aftësive të Gjelbra për Inovacion dhe Qëndrueshmëri”, i organizuar në kuadër të projektit EcoPulse. Trajnimi mblodhi një numër të konsiderueshëm anëtarësh të stafit akademik nga njësitë e UHZ-së, me synimin për t’i pajisur me njohuri dhe mjete praktike për hartimin, zbatimin dhe matjen e nismave të qëndrueshmërisë në procesin mësimor, kërkimor dhe në shërbimet universitare.
Në hapje, Koordinatori i projektit, Prof. Asoc. Dr. Fisnik Morina, theksoi rolin e aftësive të gjelbra si kompetenca ndërdisiplinore që ndikojnë në planifikimin e kurrikulave, projektimin e lëndëve dhe menaxhimin e burimeve në universitet. Në fjalën përshëndetëse, Prof. Dr. Theranda Beqiri, Drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës në UHZ, vuri në dukje përkushtimin institucional për ta integruar qëndrueshmërinë si përparësi në praktikat mësimore dhe veprimtaritë kërkimore. Seanca trajnuese, e udhëhequr nga Prof. Besfort Ahmeti, u përqendrua në kalimin “nga ideja te ndikimi”, duke ndërthurur konceptet kyçe të inovacionit të gjelbër me ushtrime të drejtpërdrejta dhe shembuj rastesh nga mjedisi universitar.
Gjatë punës në grupe, pjesëmarrësit nga stafi bashkëpunuan në hartimin e ideve dhe nismave institucionale për zgjidhje të qëndrueshme në fusha prioritare si: mobiliteti në kampus, ndërtesat dhe infrastruktura, komunikimi/ndërgjegjësimi dhe shpërndarja, ndryshimi i kulturës organizative, blerjet publike dhe zinxhiri i furnizimit, si dhe modelet e financimit për projekte të gjelbra. Grupi i stafit u fokusua në përcaktimin e objektivave të matshme, treguesve të performancës dhe hapave të parë për zbatim, me synim kalendarizimin dhe integrimin e nismave në planet e punës të njësive akademike.
Përfitimet për stafin akademik përfshinë qartësimin e kornizës së kompetencave të gjelbra që mund të integrohen në sillabuse dhe në rezultatet e të nxënit; mjete të zbatueshme për projektimin e aktiviteteve praktike në lëndë si dhe orientime për bashkëpunim ndërdepartamental dhe partneritete me komunitetin. Në përmbyllje, u identifikuan pika prioritare dhe u formuluan nisma konkrete në funksion të nxitjes së inovacionit të gjelbër në UHZ, të cilat do të shërbejnë si bazë për paketa veprimi dhe modele pilot në kuadër të projektit EcoPulse.



