Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

TRYEZË DISKUTIMI MBI PROGRAMIN KOMBËTAR TË SHKENCËS DHE PËRMIRËSIMIN E VEPRIMTARISË SHKENCORE NË KOSOVË

Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës u mbajt sot Tryeza e diskutimit kushtuar zbatimit të Programit Kombëtar të Shkencës dhe perspektivave për fuqizimin e veprimtarisë shkencore në Kosovë. Aktiviteti u organizua nga Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), si dhe të gjithë rektorëve të universiteteve publike në vend.

Në këtë tryezë, e cila u drejtua nga prof.dr. Myzafere Limani, Kryetare e Këshillit Kombëtar të Shkencës, u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me zbatimin e Programit të Shkencës 2023–2030, si dhe mbi rolin që duhet të kenë universitetet publike në zhvillimin shkencor e inovativ të vendit.

Një ndër diskutimet kryesore u mbajt nga prof.dr. Armand Krasniqi, Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, i cili trajtoi temën: “Cili do të duhej të ishte roli i Këshillit Kombëtar të Shkencës i Republikës së Kosovës në dinamizimin dhe fuqizimin e profilizimit shkencor të universiteteve publike në vend.” Në fjalën e tij, rektori Krasniqi theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet universiteteve dhe Këshillit Kombëtar të Shkencës në funksion të implementimit të Programit Kombëtar të Shkencës, duke nënvizuar nevojën që ky program të rezultojë me ndërtimin e një arkitekture të re institucionale.

Rektori Krasniqi propozoi krijimin e mekanizmave të rinj si Fondi Kombëtar i Kërkimit dhe InovacionitAgjencia për Vlerësim dhe Integritet ShkencorAgjencia për Infrastrukturë Kërkimore dhe Rrjeti Kombëtar për Transferin e Teknologjisë – institucione që do ta lidhin strategjinë kombëtare me veprimin praktik dhe do të forcojnë ndikimin shkencor të universiteteve publike në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Pjesëmarrësit e tryezës ndanë mendime dhe sugjerime konkrete mbi mënyrën se si mund të fuqizohet më tej ekosistemi i kërkimit shkencor në Kosovë, duke e parë atë si një faktor kyç në profilizimin e universiteteve dhe rritjen e besueshmërisë së tyre brenda dhe jashtë vendit.

Shko në krye