Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

UHZ organizon  workshop për gjurmën e karbonit në kuadër të projektit EcoPulse 

Universiteti “Haxhi Zeka” (UHZ), në kuadër të projektit EcoPulse, realizoi workshopin tematik mbi matjen e gjurmës së karbonit në institucion. Qëllimi i workshopit ishte operacionalizimi i hulumtimit për gjurmën e karbonit në UHZ, përfshirë diskutimin e pyetësorit dhe përcaktimin e qasjes/metodës së matjes. Bartës i projektit EcoPulse është Prof. Asoc. Dr. Fisnik Morina (Fakulteti i Biznesit, UHZ).

Workshopi u udhëhoq nga znj. Jeta Berisha, Drejoreshë Ekzekutive e Kompanisë Habitat, së bashku me stafin e kësaj kompanie, të cilët prezantuan parimet kryesore metodologjike dhe mënyrën e zbatimit praktik në ambientet universitare. Në workshop dhe në kuadër të projektit morën pjesë edhe studentët e programit të masterit “Menaxhim Biznesi”, duke kontribuar me vëzhgime dhe sugjerime praktike për implementimin e instrumenteve matëse.

Si pjesë e projektit EcoPulse, kompania Habitat do t’i ofrojë UHZ-së kalkulatorin digjital të zhvilluar prej saj për kalkulimin e gjurmës së karbonit në UHZ. Kalkulimet do të kryhen në kuadër të Laboratorit të Gjelbër në UHZ, ndërsa kalkulatori do të vihet në përdorim pa pagesë për një (1) vit për ekipin e projektit EcoPulse. Përmes këtij kalkulatori, UHZ do të mund të gjenerojë raporte mujore të gjurmës së karbonit, duke mundësuar monitorim të vazhdueshëm dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna.

Ky është një projekt unik në Kosovë, që vendos një standard të ri për matjen sistematike të ndikimit mjedisor në arsimin e lartë dhe promovon përfshirjen aktive të studentëve në kërkime aplikative.

UHZ falënderon kompaninë Habitat, studentët dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e dhënë dhe mbështetjen në avancimin e praktikave të qëndrueshmërisë në institucion. 

Shko në krye