Në ambientet e Camp Villaggio Italia u mbajt seminari me temën “Forcimi i rolit të shoqërisë civile në rritjen ekonomike rajonale – në vijim të Marrëveshjes së Mirëkuptimit të Kosovës Perëndimore”, një ngjarje e rëndësishme që bashkoi përfaqësues të universiteteve, autoriteteve lokale dhe ndërkombëtare.
Seminarin e hapi Komandanti i Komandës Rajonale Perëndim, Kolonel Francesco Errico, i cili theksoi rëndësinë e këtij takimi si një mundësi të vlefshme për shkëmbimin e informacioneve dhe përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të pranishëm. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e organizimit të takimeve të tilla, të cilat shërbejnë si platforma kyçe për koordinim të vazhdueshëm, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe avancimin e qëllimeve strategjike për zhvillim.
Gjatë seminarit, një nga fjalimet më domethënëse u mbajt nga Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Prof. Dr. Armand Krasniqi, i cili solli në vëmendje sfidat strukturore me të cilat përballen institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Ai theksoi se universitetet shpesh veprojnë në periferi të proceseve zhvillimore, të kufizuara nga barriera që pengojnë avancimin e shkencës, inovacionit dhe ndikimit shoqëror. “Për aq kohë sa këto margjina nuk tejkalohen, institucionet e arsimit të lartë do të mbesin të izoluara nga zhvillimet reale, duke mos arritur të luajnë rolin e tyre thelbësor në përparimin e shoqërisë,” u shpreh Rektori Krasniqi. Ai bëri thirrje për krijimin e një mjedisi më të hapur dhe bashkëpunues, ku universitetet, sektori privat dhe institucionet publike të funksionojnë si partnerë të barabartë në një model të qëndrueshëm zhvillimi, duke e lidhur këtë qasje me konceptin e heliksit të katërfishtë por edhe atë të gjashtëfishtë.
Një nga pikat kyçe të fjalimit të Rektorit Krasniqi ishte rëndësia e avancimit të sektorit të biznesit në rajon si një komponent thelbësor i zhvillimit të qëndrueshëm. Ai theksoi se shumë biznese lokale ende nuk kanë të konsoliduara departamente të menaxhimit të burimeve njerëzore, çka krijon vështirësi serioze për institucionet e arsimit të lartë në ofrimin e përvojës praktike për studentët.
Sipas tij, mungesa e strukturave profesionale brenda bizneseve jo vetëm që e kufizon mundësinë e trajnimit të studentëve në kushte reale pune, por gjithashtu pengon ndërlidhjen e arsimit me nevojat konkrete të tregut të punës.Në fjalën e tij, Rektori theksoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet universiteteve, sektorit privat dhe institucioneve qeveritare është thelbësor për krijimin e një klime të favorshme për inovacion dhe rritje të qëndrueshm. Rektori Krasniqi theksoi se është koha që universitetet të marrin përgjegjësinë e tyre si katalizatorë të ndryshimit, duke kaluar nga roli pasiv në një rol proaktiv, ku kontributi akademik bëhet motor zhvillimi për ekonominë dhe shoqërinë në tërësi.
Ngjarja u hap nga Komandanti i Komandës Rajonale Perëndim, Kolonel Francesco Errico, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe rektorët e Universiteteve “Ukshin Hoti” në Prizren dhe “Fehmi Agani” në Gjakovë, të cilët ndanë përvojat dhe vizionet e tyre për bashkëpunim ndërinstitucional.
Seminari u përmbyll me diskutime të hapura dhe shkëmbim simbolik dhuratash, duke reflektuar përkushtimin e të gjitha palëve për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në proceset zhvillimore të Kosovës Perëndimore.


