Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Përmbyllet me sukses edicioni i VIII-të i Javës Artistike Studentore

Fakulteti i Arteve i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka përmbyllur me sukses të plotë edicionin e tetë të ngjarjes tashmë tradicionale, “Java Artistike Studentore”. Ky edicion mblodhi një audiencë të gjerë adhuruesish të artit përmes dy netëve të pasura koncertale, ku u prezantuan arritjet e larta artistike të studentëve dhe formacioneve tona korale.

Nata e Parë: Koncerti Solistik i Studentëve

Nata e parë e cila u mbajt me datë 9 Qershor në Galerinë e Arteve në Pejë, solli një gërshetim të shkëlqyer të krijimtarisë vendase dhe botërore, të interpretuar me profesionalizëm nga studentët e fakultetit tonë.
Programi u hap me veprën “Mallëngjimi” nga R. Krasniqi, e interpretuar nga studenti Avdyl Berisha (Solokëndim), për të vazhduar me paraqitjet nga Lis Kelmendi (Klarinetë), Sidrit Haliti (Kitarë), Rinesa Leta (Solokëndim), Saranda Gashi (Piano), Valentin Krasniqi (Solokëndim), Lind Rudi (Kitarë), Ari Haxhija (Klarinetë), Dionis Berisha (Kitarë), Teuta Sutaj (Solokëndim) dhe Genita Kelmendi (Flautë). Kjo natë festive u përmbyll me performancën harmonike të ansamblit të kitarave nga Blina Nushi, Lind Rudi, Dionis Berisha dhe Sidrit Haliti. Gjithë programi i natës së parë u shoqërua në piano nga korepetitori Ma. Gent Kumnova.

Nata e Dytë: Koncerti i Korit të Fakultetit të Arteve 

Nata e dytë dhe njëkohësisht përmbyllëse e këtij edicioni, u zhvillua në ambientet e Kishës Katolike Shën Katarina në Pejë, duke iu dedikuar tërësisht muzikës korale. Kori i Fakultetit të Arteve, nën drejtimin profesional të dirigjentit Prof. Mr. Hysen Nimani, dhuroi një performancë të jashtëzakonshme me një repertor sfidues dhe bashkëkohor.

Adhuruesit e pranishëm patën mundësinë të ndjekin interpretime të fuqishme të veprave nga autorë të njohur si Stravinsky, Rizvanolli, Mullaj dhe Antoni. Programi u pasurua tutje me vepra ritmike dhe korale botërore nga Emerson, Dawson, Runestade dhe Trotta, si dhe me një këngë tradicionale nga Afrika e Jugut.

Realizimi i suksesshëm i edicionit të VIII-të të Javës Artistike Studentore dëshmon edhe një herë përkushtimin e Fakultetit të Arteve në afirmimin e talentëve të rinj, ngritjen e cilësisë akademike dhe pasurimin e vazhdueshëm të jetës kulturore në qytetin e Pejës dhe më gjerë.

Leave a comment

sqAlbanian