Në kuadër të aktiviteteve të pasura kulturore dhe akademike, Fakulteti i Arteve i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka udhëhequr dhe organizuar me sukses koncertin e jashtëzakonshëm të Orkestrës së Dukagjinit, të mbajtur në Pejë për nder të Ditës së Çlirimit të qytetit. Ky aktivitet i rëndësishëm u realizua nëpërmjet një bashkëpunimi të shkëlqyer me Shkollën e Mesme të Muzikës “Lorenc Antoni” nga Prizreni, duke bërë bashkë Orkestrat e të dy institucioneve për të kremtuar këtë datë historike përmes një mbrëmjeje të paharrueshme artistike.
Koncerti u hap me një program mjaft të larmishëm e të pasur muzikor, i cili gërshetoi vepra të njohura botërore, vazhdoi me perla të muzikës popullore dhe asaj klasike shqiptare. Ky repertor u interpretua shkëlqyeshëm nga orkestra nën drejtimin e dirigjentëve Elvis Bytyqi dhe Astrit Pallaska, ndërsa të gjitha pikat u jetësuan në skenë falë punës së çmuar të orkestruesit Ersan Januzi.
Mbrëmja dhuroi një atmosferë të ngrohtë dhe emocione të shumta për artdashësit e pranishëm, të cilët patën mundësinë të shijonin një performancë të ekzekutuar me nivel të lartë artistik. Bashkëpunimet e tilla mbeten një pikë qendrore e Fakultetit të Arteve për të ndërtuar ura lidhëse dhe për të promovuar vlerat e muzikës në nivel rajonal.
Me këtë rast, Fakulteti i Arteve dhe Universiteti “Haxhi Zeka” shpreh falënderim të sinqertë për Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së Pejës për mbështetjen e pakursyer.
Një falënderim i veçantë i dedikohet drejtoreshës, znj. Xhenete Syka-Kelmendi, për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe vizionin e treguar në përkrahjen e vazhdueshme të jetës artistike dhe institucioneve tona akademike.








