Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Triumf i dyfishtë në Shkodër: Studentët e Fakultetit të Arteve nderohen me Çmimet e Para në Konkursin Ndërkombëtar “Pjetër Gaci”

Fakulteti i Arteve i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë shënon një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare. Në edicionin e XXV-të të Konkursit Ndërkombëtar të Interpretuesve të Rinj të Muzikës Klasike “Pjetër Gaci”, të mbajtur në Shkodër nga data 20 deri më 23 maj 2026, dy studentët tanë të talentuar kanë rrëmbyer Çmimet e Para në kategoritë e tyre përkatëse. Ky konkurs prestigjioz, i organizuar nën patronazhin e Bashkisë Shkodër, Teatrit “Migjeni” dhe Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, mbledh çdo vit artistët e rinj më premtues nga mbarë rajoni.

Në këtë garë të rëndësishme, studenti Lindi Rudi fitoi Çmimin e Parë në instrumentin e kitarës (Kategoria E). Lindi është student në klasën e Prof. Ass. Gjulian Bytyqi dhe performanca e tij u vlerësua lart nga juria profesionale. Po ashtu, me Çmim të Parë u nderua edhe studenti Arberin Shala në instrumentin e klarinetës (Kategoria D). Arberini është student në klasën e Prof. Dr. Fatbardh Gashi dhe në këtë paraqitje konkurruese në skenën e Shkodrës u shoqërua me mjeshtëri në piano nga korepetitori Ma. Gent Kumnova.

Ky triumf i dyfishtë tregon qartë përkushtimin, punën intensive dhe standardin e lartë akademik që kultivohet në Fakultetin e Arteve. Universiteti “Haxhi Zeka” krenohet me studentët, të cilët lartësuan emrin e institucionit tonë dhe dëshmuan se janë pjesë e elitës së re të muzikës klasike.

I përgëzojmë përzemërsisht studentët, profesorët mentorë dhe korepetitorin për këtë arritje të madhe dhe ju urojmë shumë suksese të tjera!

Leave a comment

sqAlbanian