Në ambientet e New Bulgarian University (NBU) u realizua me sukses një koncert artistik, i cili solli në vëmendje një përzgjedhje të kujdesshme të repertorit nga krijimtaria muzikore akademike shqiptare. Koncerti u organizua nga prof. Syzana Jakupi, e cila vazhdon studimet doktorale në NBU.
Në kuadër të këtij angazhimi akademik dhe artistik, u përgatit një përmbledhje veprash të kompozitorit R.Dhomi, të trajtuara si në aspektin teorik, përmes analizave dhe shkrimeve përkatëse, ashtu edhe në aspektin interpretativ në skenë. Ky kombinim solli një qasje të plotë ndaj materialit muzikor, duke ndërthurur studimin me interpretimin skenik.
Në interpretimin e veprave morrën pjesë: prof. Mimoza Pajaziti Drançolli, prof. Besa Berberi, prof. Syzana Jakupi dhe prof. Dardane Nallbani Batalli, të cilat sollën një interpretim profesional dhe të ndjeshëm.
Kjo ngjarje kulturore përbën një bashkëpunim të rëndësishëm ndërinstitucional dhe një kontribut të vlefshëm në promovimin e krijimtarisë muzikore shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ngjarja u ndoq nga profesorë dhe studentë të New Bulgarian University, të cilët shfaqën interesim të veçantë për qasjen analitike dhe artistike.
Ky koncert dëshmon përkushtimin e stafit akademik të Universitetit “Haxhi Zeka”, përkatësisht Fakultetit të Arteve, në promovimin e vlerave muzikore dhe në fuqizimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e artit dhe kërkimit shkencor.


