Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Koncert i Ansamblit “Fryma Artistike” në Zagreb

Në kuadër të aktiviteteve kulturore dhe promovimit të vlerave artistike shqiptare jashtë vendit, Ansambli frymor “Fryma Artistike”, mbajti një koncert të suksesshëm më 8 Maj 2026 në Zagreb, në ambientet e “Novinarski Dom”.

Ishte një paraqitje dinjitoze para një publiku të mrekullueshëm, ku morën pjesë përfaqësues të politikës, kulturës dhe mërgimtarët tanë, të cilët dinë gjithmonë ta vlerësojnë artin dhe kulturën shqiptare. Publiku i entuziazmuar e përcolli koncertin me duartrokitje të gjata dhe ovacione.

Programi koncertal përfshiu një repertor të pasur dhe të larmishëm, duke ndërthurur vepra të njohura të muzikës klasike botërore, dhe shumë krijime dhe melodi tradicionale shqiptare. Veprat e interpretuara ishin kompozime nga Shostakovich, Monti, Morricone, Chopin dhe Piazzolla, si dhe këngë e valle tradicionale shqiptare.

Këngët “Kur e përcolla ylberin”, “Vajta kalova”, “N’bash zaman të djelmënisë”, “Potpuri shkodrane” dhe “A kanë ujë ato burime” u interpretuan nga ansambli dhe njëkohësisht u kënduan edhe nga publiku, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe ngazëllyese.

Në fund, edhe pse koncerti kishte përfunduar, publiku kërkoi rikthimin e ansamblit në skenë, ku me shumë kënaqësi u përsërit pika muzikore “A kanë ujë ato burime”, duke u kënduar nga publiku me nostalgji për këngën shqipe.

Në program u interpretuan gjithashtu edhe veprat muzikore “Libertango”, “Misirlou”, “Gabriel’s Oboe”, Çardash, Shallom Aleikim, Excutive dhe “Valsi nr. 2” i Shostakoviçit. Këto pika muzikore ishin aranzhuar enkas për këtë ansambël nga Ersan Januzi, Ylber Asllani dhe Gent Kumnova.

Ansambli u paraqit me një formacion të plotë artistësh, të përbërë nga Prof.Dr. Fatbardh Gashi, Prof.Asoc. Arsim Kelmendi, Atdhe Kasapolli, Albin Mamusha, Dielli Këpuska, Arberin Shala, Ari Haxhija, Lis Kelmendi, nën drejtimin e Prof.Dr. Fatbardh Gashi dhe me udhëheqje artistike të Prof.Asoc. Arsim Kelmendi. Poashtu, koncertit nuk i munguan pikat solo, ku u dalluan interpretimet e Arbërin Shalës (Klarinetë), Ari Haxhijës (Klarinetë), Lis Kelmendit (Klarinetë) dhe Gent Kumnovës (Piano).

Ky koncert u organizua me mbështetjen e Bashkësisë Shqiptare të Zagrebit dhe Prefekturës së Zagrebit, duke dëshmuar bashkëpunimin e frytshëm kulturor dhe promovimin e identitetit artistik shqiptar në arenën ndërkombëtare. Mirënjohje e thellë për kryetarin, z. Sejfedin Prekazi.

Një mirënjohje dhe falënderim i veçantë i dedikohet Prof.Asoc. Xhevdet Sahatxhija për përkushtimin, kontributin e çmuar dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke pasur një rol kyç në realizimin me sukses të këtij koncerti.

Universiteti “Haxhi Zeka” vlerëson dhe mbështet angazhimin e studentëve dhe artistëve të rinj në aktivitete të tilla, të cilat kontribuojnë në zhvillimin profesional dhe në prezantimin dinjitoz të kulturës sonë jashtë vendit.

Leave a comment

sqAlbanian