Fakulteti i Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” vazhdon të korrë suksese në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se studentët tanë janë konkurrentë dinjitozë në skenat më prestigjioze evropiane.
Këtë herë, lajmi i gëzueshëm vjen nga Kroacia, ku studentja jonë e talentuar e drejtimit Solokëndim, Yllka Demukaj, e cila aktualisht po ndjek studimet njësemestrale në Zagreb përmes programit të shkëmbimit Erasmus+, është nderuar me Çmimin e Dytë në garën ndërkombëtare dhe mjaft konkurruese “Lav Mirski” në Osijek.
Performanca e studentes sonë u vlerësua lart nga një juri profesionale e përbërë nga emra të shquar të botës operistike dhe pedagogjike, si: Prof. Berislav Jerković, Prof. Terezija Kusanović, Prof. Vesna Ginovska Ilkova dhe Prof. Jo-Nette LeKay. Gjatë kësaj gare, ajo u shoqërua në piano nga pianisti i mirënjohur, Prof. Ante Blažević.
Ky sukses është rezultat i një dedikimi dhe pune të palodhshme të profesoreshës tonë, Prof.Ass. Adelina Paloja. Njëkohësisht e vlerësojmë punën e profesorit pritës, Prof. Berislav Jerković, për mbështetjen dhe besimin e dhënë gjatë studimeve të saja në Kroaci.
Ky çmim rikonfirmon rëndësinë e programit Erasmus+, i cili u mundëson studentëve të Fakultetit të Arteve të shkëmbejnë përvoja, të sfidojnë veten në gara internacionale dhe të promovojnë vlerat artistike të Kosovës dhe të Universitetit “Haxhi Zeka”.


