Në kuadër të ditës së katërt të Universitetit Ndërkombëtar Dimëror UNIWIN 2026 ne Universitetin “Haxhi Zeka”, u organizua një ligjëratë e ftuarnga Zyra e Turizmit e Komunës së Pejës, me temën “Tourism – Potential for Economic Development of Kosovo”, duke sjellë në fokus rolin e turizmit si një nga sektorët me potencialin më të madh për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Ligjërata u mbajt nga Z.Virtyt Morina, znj. Blerta Harxhi Begolli dhe z. Jakob Hook, të cilët prezantuan para studentëve dhe profesorëve vendorë dhe ndërkombëtarë pasuritë natyrore dhe kulturore të Komunës së Pejës, si dhe vizionin institucional për zhvillimin dhe promovimin e saj si destinacion turistik atraktiv.
Gjatë prezantimit, pjesëmarrësit u njohën me potencialet e turizmit malor, kulturor dhe aventuror, me mundësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe me ndikimin e drejtpërdrejtë që zhvillimi i turizmit ka në fuqizimin e ekonomisë lokale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kjo ligjëratë ngjalli interes dhe diskutime aktive, duke forcuar lidhjen ndërmjet akademisë dhe institucioneve lokale, si dhe duke promovuar Kosovën dhe veçanërisht Pejën si një destinacion me potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe zhvillimor.
UNIWIN 2026 vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për ndërlidhjen e dijes akademike me praktikat institucionale dhe potencialet zhvillimore të Kosovës, duke promovuar turizmin si një mundësi reale për rritje ekonomike dhe bashkëpunim ndërkombëtar.




