Në kuadër të Forumit Ekonomik Rahoveci 2026, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë mori pjesë përmes Prof. Dr. Ibish Mazreku, i cili, në emër të menaxhmentit dhe të Universitetit “Haxhi Zeka”, përshëndeti organizatorët, pjesëmarrësit dhe përfaqësuesit e institucioneve, bizneseve dhe shoqërisë civile të pranishëm në forum.
Gjatë prezantimit, Prof. Dr. Ibish Mazreku i njoftoi pjesëmarrësit me projektin e studimit të fizibilitetit që po realizohet nga Universiteti “Haxhi Zeka”, përmes Institutit për Shkencë dhe Arte. Në kuadër të Forumit Ekonomik Rahoveci 2026, prezantimi u fokusua veçanërisht në Komunën e Rahovecit, si një nga komunat e përfshira në këtë projekt të rëndësishëm zhvillimor.
Projekti përfshin edhe komunat e tjera të Rajonit të Dukagjinit (Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Gjakovë, Junik dhe Deçan), ndërsa për secilën komunë është formuar një ekip i veçantë hulumtues.
Me këtë rast, Prof. Dr. Ibish Mazreku falënderoi Kryetarin e Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, për përkrahjen, bashkëpunimin institucional dhe gatishmërinë e treguar në realizimin e këtij projekti. Mbështetja e Komunës së Rahovecit konsiderohet e rëndësishme për grumbullimin e të dhënave, përfshirjen e akterëve lokalë dhe identifikimin e prioriteteve reale zhvillimore të komunës.
Qëllimi kryesor i studimit është vlerësimi i nivelit aktual të zhvillimit, kapaciteteve, potencialeve dhe mundësive strategjike të komunave, si dhe identifikimi i prioriteteve kryesore zhvillimore. Përmes analizave objektive dhe të dhënave të verifikueshme, projekti synon të krijojë një bazë profesionale dhe shkencore për planifikim, vendimmarrje, përgatitje të projekteve zhvillimore dhe tërheqje të investimeve publike dhe private.
Në rastin e Rahovecit, studimi do të analizojë në mënyrë të veçantë strukturën ekonomike, bizneset, bujqësinë, potencialet prodhuese, kapitalin njerëzor, tregun e punës, infrastrukturën, burimet natyrore, kapacitetet institucionale, cilësinë e jetës, inovacionin, mundësitë e financimit dhe bashkëpunimin rajonal.
Gjatë kësaj periudhe, ekipi hulumtues është duke u angazhuar në grumbullimin dhe analizimin e të dhënave primare nga burime të sigurta dhe të verifikueshme. Hulumtimi do të realizohet përmes pyetësorëve, intervistave dhe konsultimeve me akterë të ndryshëm, duke përfshirë përfaqësuesit e Komunës së Rahovecit, bizneset, fermerët, qytetarët, të rinjtë, shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit.
Kjo qasje synon të sigurojë një pasqyrë reale dhe gjithëpërfshirëse të gjendjes aktuale, nevojave, sfidave dhe mundësive zhvillimore të Rahovecit. Të dhënat dhe mendimet e grumbulluara nga akterët lokalë do të shërbejnë për identifikimin dhe renditjen e prioriteteve që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Pas përfundimit të hulumtimit dhe analizimit të rezultateve, do të përgatitet një dokument profesional i fizibilitetit, i cili do t’i dorëzohet Komunës së Rahovecit. Dokumenti do të mund të përdoret si bazë për hartimin e politikave zhvillimore, përcaktimin e prioriteteve, përgatitjen e projekteve konkrete, sigurimin e financimit dhe tërheqjen e investimeve vendore dhe ndërkombëtare.
Rezultatet e hulumtimit parashihet të prezantohen në FERD, në fund të këtij viti. Ky projekt paraqet një kontribut të çmuar të Universitetit “Haxhi Zeka” për zhvillimin e Rahovecit dhe të Rajonit të Dukagjinit.
Njëkohësisht, ky aktivitet është pjesë e realizimit të misionit të tretë të Universitetit “Haxhi Zeka”, përmes të cilit universiteti e vendos dijen akademike, hulumtimin shkencor dhe ekspertizën profesionale në shërbim të institucioneve, ekonomisë, komunitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.






