Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi dhe Dr.sc.Prof.asoc. Elvis Elezaj, zhvilluan sot një vizitë pune në Komunën e Klinës, ku u prit nga Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, dhe Drejtori i Drejtorisë për Arsim, Dr. sc. Qemajl Sejdia.
Vizita u realizua në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe komunave partnere të Forumit Ekonomik Rajonal Dukagjini – FERD, si dhe të projektit për hartimin e raporteve të thelluara të fizibilitetit dhe krijimin e një baze të qëndrueshme të të dhënave për zhvillimin ekonomik dhe rajonal.
Në delegacionin e Universitetit “Haxhi Zeka”, përveç Rektorit Krasniqi, ishte edhe Dr. sc. Prof. Assoc. Elvis Elezaj, i cili gjatë takimit prezantoi në mënyrë të hollësishme rolin, rëndësinë dhe objektivat e projektit, si dhe përfitimet që pritet të sjellë për Universitetin, komunat partnere dhe rajonin e Dukagjinit në tërësi.
Rektori Krasniqi theksoi se projekti paraqet vazhdimësi të angazhimeve tradicionale të FERD-it dhe një formë konkrete të realizimit të misionit të tretë të Universitetit. Përmes angazhimit të personelit akademik dhe të Institutit për Shkencë dhe Arte, UHZ synon ta vendosë dijen, kërkimin shkencor dhe ekspertizën profesionale në shërbim të institucioneve lokale dhe zhvillimit rajonal.
Dr. sc. Prof. Assoc. Elvis Elezaj shpjegoi se projekti do të mbështetet në një metodologji të qartë shkencore, e cila do të përfshijë identifikimin e burimeve zyrtare, përcaktimin e treguesve ekonomikë dhe shoqërorë, mbledhjen sistematike të të dhënave, verifikimin e tyre dhe përpunimin përmes metodave përkatëse analitike.
Ai theksoi se analiza nuk do të kufizohet vetëm në paraqitjen e gjendjes ekzistuese, por do të synojë identifikimin e potencialeve zhvillimore, sfidave, nevojave dhe mundësive konkrete të secilës komunë. Në këtë mënyrë, raportet do të shërbejnë si dokumente të besueshme për planifikimin e politikave, orientimin e investimeve dhe hartimin e projekteve të ardhshme.
Për Universitetin “Haxhi Zeka”, rezultatet e projektit do të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e kërkimit shkencor, përfshirjen e personelit akademik dhe studentëve në hulumtime të aplikuara, si dhe përafrimin e programeve studimore me nevojat reale të tregut të punës dhe të zhvillimit rajonal.
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, vlerësoi lart nismën e Universitetit “Haxhi Zeka” dhe shprehu gatishmërinë e plotë të Komunës për ta mbështetur realizimin e projektit. Ai theksoi se Komuna e Klinës do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave, bashkërendimin institucional dhe krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin e suksesshëm të procesit kërkimor.
Kryetari Elezaj konfirmoi gjithashtu përkushtimin e Komunës së Klinës për të mbështetur jo vetëm këtë projekt universitar, por edhe aktivitetet dhe iniciativat e tjera që Universiteti “Haxhi Zeka” do të ndërmarrë në fushën e arsimit, shkencës, zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe bashkëpunimit me komunitetin.
Takimi përfundoi me pajtimin e përbashkët se bashkëpunimi ndërmjet Universitetit dhe Komunës duhet të vazhdojë të zhvillohet përmes projekteve konkrete, të mbështetura në të dhëna të besueshme, metodologji shkencore dhe objektiva të matshme, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të Klinës dhe të rajonit të Dukagjinit.
