Rektori i Univerzitet "Hadži Zeka"“, Prof. Dr. Armand Krasniqi, zhvilloi një vizitë pune në Komunën e Gjakovës, ku u prit nga Nënkryetari i Komunës, z. Flamur Fetahaj.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit tradicional që Universiteti “Haxhi Zeka” realizon me komunat e rajonit përmes Forumit Ekonomik Rajonal Dukagjini – FERD, si një platformë që lidh universitetin, institucionet publike, sektorin privat dhe komunitetin në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.
Në qendër të diskutimit ishte projekti i UHZ-së për hartimin dhe publikimin e raporteve të thelluara të fizibilitetit për komunat partnere të FERD-it, të mbështetura në të dhëna zyrtare, metodologji shkencore dhe tregues të matshëm zhvillimorë.
Rektori Krasniqi e njoftoi Nënkryetarin Fetahaj për angazhimin e personelit akademik dhe të Institutit për Shkencë dhe Arte të Universitetit “Haxhi Zeka” në përgatitjen e një matrice të përbashkët kërkimore, përmes së cilës do të mblidhen, sistemohen dhe analizohen të dhënat relevante për secilën komunë partnere.
Ai theksoi se qëllimi i projektit është krijimi i një baze të besueshme dhe multifunksionale të evidencave, e cila komunave do t’u shërbejë për planifikimin e politikave zhvillimore, identifikimin e potencialeve ekonomike, orientimin e investimeve dhe hartimin e projekteve konkrete.
Për Universitetin “Haxhi Zeka”, ky proces do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e kërkimit shkencor të aplikuar, përfshirjen e personelit akademik dhe të studentëve në hulumtime me ndikim të drejtpërdrejtë, si dhe përafrimin e veprimtarisë akademike me nevojat reale të komunave dhe të rajonit të Dukagjinit.
Rektori Krasniqi nënvizoi se projekti përfaqëson një dimension të rëndësishëm të misionit të tretë të Universitetit, përmes të cilit dija dhe kapacitetet universitare vendosen në shërbim të zhvillimit të komunitetit, institucioneve dhe ekonomisë rajonale.
Nënkryetari i Komunës së Gjakovës, z. Flamur Fetahaj, e vlerësoi pozitivisht iniciativën e Universitetit “Haxhi Zeka” dhe shprehu gatishmërinë e Komunës për të mbështetur realizimin e projektit.
Ai konfirmoi se Komuna e Gjakovës do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave të nevojshme, koordinimin ndërinstitucional dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e një procesi kërkimor të besueshëm dhe profesional.
Gjatë takimit u shpreh gjithashtu gatishmëria për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe Universitetit “Haxhi Zeka” edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, zhvillimin ekonomik, praktikat profesionale të studentëve dhe përfshirjen e universitetit në adresimin e nevojave konkrete të komunitetit.
Palët u pajtuan se rezultatet e projektit duhet të shndërrohen në dokumente kredibile, praktike dhe të përdorshme, të cilat do të ndihmojnë në vendimmarrjen institucionale dhe në krijimin e një vizioni më të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm të Gjakovës dhe të rajonit të Dukagjinit.
