Në kuadër të projektit “Mush Link”, i financuar nga Erasmus+, Prof. Dr. Nexhdet Shala ka mbajtur një ligjëratë informuese dhe profesionale mbi rolin dhe mundësitë e prodhimit të kërpudhave. Gjatë këtij aktiviteti, ai theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të substrateve natyrale, duke i paraqitur ato si një alternativë të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin për kultivimin e kërpudhave.
Në ligjëratë u diskutua gjithashtu për teknikat bashkëkohore të prodhimit, kushtet optimale për rritjen e kërpudhave, si dhe sfidat me të cilat përballen prodhuesit në këtë sektor. Prof. Shala vuri në pah se prodhimi i kërpudhave paraqet një mundësi të mirë për zhvillim ekonomik, sidomos për fermerët e vegjël dhe ndërmarrjet fillestare, duke ofruar potencial për rritje të të ardhurave dhe krijim të vendeve të reja të punës.
