Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Vazhdon partneriteti i UHZ-së me komunat e Pejës dhe Deçanit për zhvillimin rajonal

Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, sot zhvilloi dy vizita pune në komunat e Pejës dhe Deçanit, ku u prit nga Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, dhe Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj.

Takimet u zhvilluan në kuadër të bashkëpunimit që Univerzitet "Hadži Zeka"“ realizon me komunat e rajonit përmes Forumit Ekonomik Rajonal Dukagjini – FERD. Ky forum tashmë është shndërruar në një aktivitet tradicional, i cili, përmes modelit të heliksit të katërfishtë, lidh universitetin, institucionet publike, sektorin privat dhe komunitetin, duke fuqizuar njëkohësisht misionin e tretë të UHZ-së.

Gjatë takimeve, Rektori Krasniqi i njoftoi të dy kryetarët lidhur me angazhimin e personelit akademik dhe të Institutit për Shkencë dhe Arte të UHZ-së për hartimin e një matrice të përbashkët kërkimore, të mbështetur në metodologji shkencore dhe në të dhëna zyrtare.

Nëpërmjet kësaj matrice synohet që, për secilën komunë partnere të FERD-it, si dhe për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, të përgatiten dhe publikohen raporte të thelluara të fizibilitetit. Raportet do të përmbajnë analiza të besueshme mbi potencialet, burimet, sfidat dhe mundësitë konkrete të zhvillimit ekonomik të komunave të rajonit të Dukagjinit.

Këto dokumente do të mundësojnë krijimin e një baze multifunksionale të evidencave, e cila do t’u shërbejë komunave për planifikimin e politikave dhe projekteve zhvillimore, ndërsa Universitetit “Haxhi Zeka” për avancimin e kërkimit shkencor, zhvillimin akademik dhe orientimin e programeve studimore drejt nevojave reale të rajonit.

Kryetarët Gazmend Muhaxheri dhe Bashkim Ramosaj shprehën gatishmërinë për ta mbështetur projektin dhe u zotuan se, secili në kuadër të përgjegjësive institucionale, do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave, bashkërendimin e aktiviteteve dhe realizimin e raporteve kredibile, të zbatueshme dhe të dobishme për zhvillimin e qëndrueshëm të komunave.

Universiteti “Haxhi Zeka”, përmes FERD-it, vazhdon të forcojë rolin e tij si partner akademik dhe zhvillimor i komunave të rajonit, duke e vendosur dijen, kërkimin shkencor dhe ekspertizën universitare në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Dukagjinit.

Idi na vrh