Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Fillon Trajnimi Online për Programet CAD dhe CAM në kuadër të Projektit MetaTech 4.0

Sot ka filluar programi i trajnimit METATECH në Universitetin “Haxhi Zeka”, në kuadër të projektit MetaTech 4.0, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+. Trajnimi ka në fokus zhvillimin e aftësive praktike dhe kompetencave teknologjike në fushën e CAD dhe CAM, në përputhje me standardet bashkëkohore akademike dhe kërkesat e industrisë. Në këtë trajnim janë përzgjedhur të marrin pjesë ndërmarrës, përfaqësues të bizneseve, studentë të përfshirë në mësimin praktik dhe pedagogë të shkollave të mesme teknike, të cilët do të përfitojnë njohuri të aplikueshme për zhvillim profesional dhe përfshirje aktive në iniciativa inovative. Trajnimi do të mbahet nga eksperti i përzgjedhur Mr.sc. Erblin Januzaj, i cili do të ofrojë qasje praktike dhe të orientuar drejt nevojave reale të sektorit metalik dhe industrisë prodhuese. Trajnimi përmban 3 sesione online dhe 5 të tjera me prani fizike në ambientet e Fakultetit të Biznesit sipas orarit të përkatës. 

Projekti MetaTech 4.0 synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet arsimit dhe industrisë, të rrisë cilësinë dhe atraktivitetin e formimit profesional, si dhe të promovojë kulturën e të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke përgatitur burime njerëzore të afta për një treg pune gjithnjë e më të dixhitalizuar. Universiteti Haxhi Zeka mbetet i përkushtuar në rolin e tij aktiv në ndërtimin e urave bashkëpunuese dhe avancimin e standardeve të arsimit profesional, në përputhje me strategjitë e BE-së për dixhitalizim dhe inovacion në industri.

Idi na vrh