Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

BOŽIĆ MIRA, POŠTOVANJA I SUŽIVOTA: UNIVERZITET “HAXHI ZEKA” U ČESTITKA POSJETI KATOLIČKOJ CRKVI “SVETE KATARINE” U PIĆU

Sot, me rastin e festës së shenjtë të Krishtlindjeve, një delegacion i Universitetit Universiteti Haxhi Zeka realizoi një vizitë urimi dhe respekti në Kishën Katolike Shën Katerina, duke përcjellë mesazhe paqeje, dashurie dhe mirëkuptimi për komunitetin katolik në Pejë dhe më gjerë.

Delegacioni u udhëhoq nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi, dhe përbëhej nga Prof. Dr. Edmond Beqiri, Dr. Sc. Prof. Asoc. Alma Shehu-Lokaj, Dr. Sc. Prof. Asoc. Vjosa Hajdari – Prorektore, Prof. Dr. Ibrahim Hoxha – Dekan i Fakultetit të Agrobiznesit, Prof. Dr. Afrim Selimaj – Dekan i Fakultetit të Turizmit, Hotelerisë dhe Mjedisit, si dhe Dr. Sc. Prof. Asoc. Ylber Januzaj – Dekan i Fakultetit të Biznesit. Ata u pritën ngrohtësisht dhe me dashamirësi nga Don Lorenc Mazreku, në një atmosferë të mbushur me respekt të ndërsjellë dhe frymë festive.

Gjatë kësaj vizite, Rektori Krasniqi përcolli urimet më të sinqerta të studentëve dhe të gjithë personelit akademik dhe administrativ të Universitetit “Haxhi Zeka” për Don Lorenc Mazrekun dhe për komunitetin katolik, duke theksuar se Krishtlindjet janë një moment i veçantë reflektimi mbi vlerat universale të paqes, solidaritetit, dashurisë dhe dinjitetit njerëzor. Ai vuri në pah se këto vlera janë thelbësore jo vetëm për jetën shpirtërore, por edhe për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Vizita u karakterizua, si gjithmonë, nga evokimi i kujtimeve dhe vlerësimi i thellë për rolin historik dhe bashkëkohor që Kisha Katolike “Shën Katerina” në Pejë ka pasur dhe vazhdon të ketë në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe ruajtjen e traditave, duke dhënë kontribut të çmuar për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë fetare apo kombëtare. Ky kontribut është një dëshmi e gjallë e bashkëjetesës ndërfetare dhe e respektit të ndërsjellë që e ka karakterizuar gjithmonë shoqërinë tonë.

Në shenjë mirënjohjeje për këtë kontribut të vazhdueshëm ndër vite, si dhe për respektin e veçantë ndaj angazhimit personal të Pater Lorenc Mazrekut, Rektori Krasniqi ndau një mirënjohje për Kishën Katolike “Shën Katerina” në Pejë, si simbol vlerësimi institucional dhe njerëzor për këtë shtëpi të Zotit dhe për misionin e saj fisnik.

Kjo vizitë përfaqëson jo vetëm një urim festiv, por edhe një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe bashkësive fetare. Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar ndaj këtyre vlerave, duke e vendosur njeriun, dijen dhe respektin reciprok në qendër të misionit të tij shoqëror dhe akademik.

Në frymën e Krishtlindjeve, kjo vizitë riafirmon besimin se paqja, dashuria dhe solidariteti janë themelet mbi të cilat ndërtohet e ardhmja jonë e përbashkët.

Idi na vrh