Menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, i kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Armand Krasniqi, priti sot në takim përfaqësuesit e SHER, të kryesuar nga udhëheqësi i programit, z. Aqim Emurli.
Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive bashkëpunimi dhe partneriteti institucional, duke u fokusuar në arritjet e fundit dhe rezultatet e Konferencës së III-të të Forumit Ekonomik Rajonal – FER-D, e cila u vlerësua si një platformë e rëndësishme për forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë, sektorit publik dhe atij privat, si dhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik rajonal.
Gjatë takimit, palët diskutuan për aktivitetet e ardhshme të përbashkëta, në përputhje me kërkesën për mbështetje institucionale të adresuar nga Universiteti “Haxhi Zeka” pranë SHER. Në këtë kuadër, u theksua se fokusi i bashkëpunimit në fazën e radhës do të jetë rishikimi i Statutit të Universitetit “Haxhi Zeka”, si dhe hartimi dhe përmirësimi i Rregullores për vlerësimin e performancës së personelit akademik, me synim rritjen e transparencës, meritokracisë dhe cilësisë në proceset akademike dhe menaxheriale.
Rektori Krasniqi shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme të SHER, duke theksuar angazhimin e UHZ-së për të avancuar qeverisjen universitare dhe për të ndërtuar mekanizma modernë të vlerësimit të performancës akademike, në përputhje me standardet evropiane të arsimit të lartë.
Nga ana e tij, z. Aqim Emurli vlerësoi rolin dhe potencialin e Universitetit “Haxhi Zeka”, duke riafirmuar gatishmërinë e SHER për të kontribuar me ekspertizë profesionale në proceset e rishikimit të Statutit dhe në zhvillimin e rregullores për vlerësimin e performancës së personelit akademik.
Takimi u përmbyll me dakordim të ndërsjellë për koordinim të vazhdueshëm dhe konkretizim të hapave të radhës, në funksion të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe arritjes së objektivave të përbashkëta strategjike.



