Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

CEREMONIA SOLMENE NË SHËNIM TË 14-VJETORIT TË THEMELIMIT TË UNIVERSITETIT “HAXHI ZEKA” 

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shënuar sot 14-vjetorin e themelimit me një ceremoni të veçantë, në të cilën morën pjesë drejtues të universitetit, personeli akademik e administrativ, studentë dhe mysafirë.

Ceremonia u pasurua me një fjalim thellësisht emocional nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi, i cili u rikthye te rrënjët e themelimit të UHZ-së, te vështirësitë e viteve të para dhe te përpjekjet e jashtëzakonshme që u bënë për të themeluar një universitet në Pejë. Ai kujtoi me respekt dhe mirënjohje njerëzit vizionarë që besuan në këtë projekt shumë para se ai të bëhej realitet — profesorë, intelektualë, kontribuues dhe mbështetës të shumtë, disa prej të cilëve, siç tha ai me dhimbje, nuk janë më në mesin tonë, por kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e universitetit.

Rektori theksoi se Universiteti “Haxhi Zeka” u ndërtua mbi idealizmin, sakrificën dhe nga njerëz që besuan fort se Peja meritonte një qendër të dijes dhe kulturës akademike. Ai falënderoi me përulësi të gjithë ata që kontribuuan ndër vite në ngritjen, konsolidimin dhe zhvillimin e institucionit, duke e cilësuar këtë rrugëtim si një histori përkushtimi dhe dashurie për arsimin.

Mesazhi i tij i ndjerë u duartrokit ngrohtësisht nga të pranishmit, duke reflektuar lidhjen e fortë emocionale të komunitetit me këtë institucion dhe me të gjithë ata që e bënë të mundur rrugëtimin 14-vjeçar të UHZ-së.

Ngjarja pasoi me fjalimin e Prorektores për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, Prof. Asoc. Dr. Alma Shehu-Lokaj, e cila paraqiti rrugëtimin historik të arsimit të lartë në Pejë – nga fillimet e Shkollës së Lartë Ekonomike-Komerciale në vitin 1960, deri te themelimi i Universitetit “Haxhi Zeka” më 14 nëntor 2011 dhe zhvillimi i tij në një institucion modern dhe me rol të rëndësishëm në Kosovë.

Në vijim, përfaqësuesi i Parlamentit Studentor mbajti një fjalë rasti në emër të studentëve të UHZ-së, duke përçuar mirënjohje dhe mesazhe motivuese për të ardhmen, duke theksuar se Universiteti “Haxhi Zeka” është shtëpia e tyre e dijes, vendi ku formohen jo vetëm akademikisht, por edhe si qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm. Po ashtu, ai shprehu besimin se rrugëtimi i tyre në këtë universitet do të vazhdojë të ndërtohet mbi vlera, përkushtim dhe respekt të ndërsjellë, duke falënderuar personelin akademik e administrativ për mbështetjen e vazhdueshme.

Gjatë ceremonisë, Universiteti ndau mirënjohje institucionale për kontributet profesionale në projektet strategjike të tij, përfshirë projektin e Inkubatorit të Biznesit dhe mirënjohje për përfaqësim të denjë të Fakultetit të Arteve në arenën kombëtare e Ndërkombëtare, ish dekanit të kësaj njësie, prof.dr. Hysen Nimani.  

Ceremonia u pasurua me interpretimet muzikore të studentëve të Fakultetit të Arteve, të cilat i dhanë ngjarjes një atmosferë festive dhe kulturore.

Idi na vrh