Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” ME MBËSHTETJE TË SHER ZHVILLON PUNËTORINË E DYTË PËR BASHKËPUNIMIN MIDIS AKADEMISË DHE INDUSTRISË

Më 7 nëntor 2025, Universiteti “Haxhi Zeka” me mbështetje të programit SHER zhvilloi me sukses punëtorinë e dytë me temë: “Bashkëpunimi midis Akademisë dhe Industrisë – Duke u fokusuar në zhvillimin dhe rishikimin e kurrikulave në përputhje me nevojat e tregut të punës në nivel rajonal.”

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues nga universitetet, komunat, institucionet qendrore, bizneset dhe organizatat joqeveritare, të cilët diskutuan mënyrat më efektive për të përmirësuar integrimin teknologjik ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit industrial, si dhe për të ndërtuar një ekosistem bashkëpunimi të qëndrueshëm në rajonin e Dukagjinit.

Punëtoria u hap me fjalët përshëndetëse të Rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. ArmandKrasniqi, dhe të Z. Nehat Dervishi, Koordinator i Programit SHER.
Pas prezantimit të Prof. Dr. Avdullah Alija, ekspert i Programit SHER, mbi rezultatet e punëtorisë së parë për Inovacionin dhe Transformimin Digjital, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime të hapura mbi qasjen e përbashkët të Akademisë, Industrisë dhe Qeverisjes, duke reflektuar mbi modelin e Heliksit të Trefishtë si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.

Në pjesën e dytë të takimit, u dhanë kontributet për përgatitjet e Konferencës së tretë të Forumit Ekonomik Rajonal të Dukagjinit (FERD), ku u identifikuan temat prioritare dhe sesionet e ardhshme të diskutimit.
Punëtoria u mbyll me falënderimet e rektorit Krasniqi dhe zotit Dervishi për kontributet e të gjithë pjesëmarrësve dhe për angazhimin e përbashkët në forcimin e lidhjeve ndërmjet arsimit, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Ky aktivitet është pjesë e përgatitjeve të Universitetit “Haxhi Zeka”, për ndërtimin e një platforme bashkëpunimi që lidh universitetin, biznesin dhe qeverisjen lokale, në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit dhe rritjes së punësueshmërisë së të rinjve në rajon.

Idi na vrh